#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Klodiana Lala, Artan Hoxha, Erzen Breçani, Eni Ferhati

“E pajetë në cep të banakut”, Lala: Mimoza Paja mund të ketë qenë duke mbrojtur mbesën…

Atentati në lokalin në “Don Bosko” është tema e diskutimit mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan.

Gazetarja Klodiana Lala thotë se ka dy teori për vrasjen e Mimoza Pajës brenda lokalit. Lala shprehet 58-vjeçarja mund të ketë tentuar të mbrojë mbesën e saj 10-vjeçare në momentin që është qëlluar me plumba ose ka qenë duke shërbyer.

Kanë qenë të gjithë në të njëjtin vend, ndërkohë që Mimoza Paja ka qenë brenda banakut. Dhe një moment, ajo…Nuk është e qartë, kjo mbetet për t’u sqaruar nëse ka dalë në mbrojtje të mbesës së saj 10-vjeçare në momentin që është qëlluar, apo ka qenë duke shërbyer. Por, ajo ka mbetur e pajetë mu tek cepi i banakut. Ndërkohë që vajza fillimisht u mendua se mund të ishte goditur me plumb”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.

Mimoza Paja, u vra padrejtësisht mbrëmjen e së Dielës teksa punonte në lokalin në pronësi të Fatjon Muratit. Blendi Fevziu dha disa detaje më shumë sot në “Opinion” për gruan e cila nuk kishte asnjë lidhje me atentatorët.

“Ajo ishte nënë e katër fëmijëve, 3 vajza e një djali. Sipas të afërmve e të njohurve ajo kishte pasur një jetë të vështirë dhe probleme ekonomike, ndaj i është dashur të punojë me dy turne. Kishte vetëm 10 ditë që ishte punësuar dhe ishte më e qetë e më e lumtur se kishte arritur të siguronte të ardhura për të vazhduar jetesën”, u shpreh Fevziu.

Një 10-vjeçare dëshmoi masakrën në Don Bosko, gazetarja tregon momentet rrëqethëse

Një ngjarje shumë e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik ndodhi mbrëmjen e së dielës në Tiranë. Plumbat e kallashnikovëve të krimit të organizuar plagosën 5 persona ndërsa 1 tjetër humbi jetën aksidentalisht.

Mimoza Paja, 58 vjeçe, u shua teksa ishte duke punuar si banakiere në një lokal në “Don Bosko”. E lënduar nga kjo ngjarje mbeti edhe mbesa e viktimës, të cilës i ranë ciflat e xhamit në krahë. Ajo ndodhej aty për të shoqëruar gjyshen.

Gazetarja Klodiana Lala përcolli këtë të hënë në emisionin “Opinion” detaje rrëqethëse nga ngjarja tragjike. Ajo u shpreh se vajza e mitur, vetëm 10 vjeçe, ka ulëritur me të madhe për të kthyer në jetë gjyshen.

Madje pasi ka dalë jashtë lokalit ajo u ka thënë njerëzve se e kanë vrarë dhe prekte trupin pasi ishte e gjakosur si pasojë e ciflave që i kishin rënë.

“Situata ka qenë nuk ta shpjegoj dot. Kam qenë sot që në orët e para të mëngjesit. Një grua krejt e pafajshme në këtë histori ka mbetur e vrarë. Problemi është që ajo që ka ndodhur aty është e tmerrshme sepse vajza e vogël në momentet e para siç tregojnë të afërt dhe dëshmitarë në vendin e ngjarjes nuk e keni idenë sa shumë ka ulëritur duke tentuar që të kthejë në jetë gjyshen dhe kur e ka kuptuar që ajo ka ndërruar jetë, ka shkuar tek njerëzit jashtë dhe thoshte “mua më kanë vrarë” dhe prekte trupin sepse ishte e gjakosur për shkak të ciflave. Krimi është bërë aq agresiv saqë nuk e kuptoj dot sesi merr kallashnikovin… çfarëdo lloj përplasje mund të kenë grupet kriminale nuk mund të qëllosh kur shikon që aty ka një fëmijë”, tha Klodiana Lala.

Masakra e Don Boskos, Breçani: Automjeti ka ardhur nga Qafë Kashari në orën 20:20, për gjysmë ore është kryer krimi

Ish-shefi i RENA-s Erzen Breçani deklaroi mbrëmjen e kësaj të Hëne në “Opinion” në Tv Klan se krimi në Don Bosko është kryer për vetëm gjysmë ore.

Breçani tha se automjeti i atentatorëve ka kaluar nga Ura e Kasharit në orën 20:20 të mbrëmjes, dhe fiks pas 30 minutash ka dalë nga Tirana.

Erzen Breçani: Në dijeninë time, komplet skema e vrasjes ka filluar nga Ura e Kasharit ose mbikalimi i Kasharit. Automjeti ka kaluar në orën 8 e 20 fiks.

Blendi Fevziu: 8 e 20? Pra, ka ardhur nga Qafë Kashari? Nga zona e Rinasit apo nga Durrësi?

Erzen Breçani: Se kam informacionin, por që është e saktë që në orën 8 e 20 minuta ka kaluar Qafën e Kasharit dhe brenda gjysmë ore ka kryer krimin dhe po tek Qafa e Kasharit ka kaluar. Fiks për një gjysmë ore ka dalë nga Tirana. Në momentin që ka dëgjuar krismat e para, një punonjëse policie me banesë diku aty afër ka njoftuar sallën operative, por kushtet e errësirës nuk kanë bërë të mundur identifikimin e mjetit për të ja dhënë sallës operative e më pas për të bërë bllokimin e rrugëve.

Artan Hoxha: Fatjon Murati objektiv i atentatit në Don Bosko, por kur ndodhi ngjarja ishte në avion

Për gazetarin Artan Hoxha, objektiv i atentatit është Fatjon Murati. Ai tha gjatë emisionit “Opinion” se Murati kishte 48 orë që ishte larguar nga shqipëria.

“Ata janë informuar që Fatjoni (Murati) ka ardhur. Pra ata e kanë marrë vesh që ai ka ardhur, se prandaj janë organizuar. Kanë marrë vesh që ka ikur sepse kishte 48 orë që kishte ikur nga Shqipëria. Besoj e dinin se prandaj kanë gjuajtur në atë formë. Besoj se e dinin sepse ata janë njoftuar që ka ardhur. Janë bërë gati, nuk kanë arritur dot në kohë dhe kanë bërë këtë që kanë bërë.

Për mua ka qenë Fatjon Murati sepse ka qenë i dyshuar pikërisht për ngjarjen e 17 Korrikut. Ka dhënë deklarime në lidhje me atë ngjarje. Ka qenë i dyshuar për atë ngjarje. Është kapur më 8 Tetor në makinë të blinduar bashkë me Indrit Doklen dhe Gentian Reçin. Janë liruar pas disa orësh, nuk kanë patur armë. Besoj kanë ardhur nga jashtë. Dy të tjerët, Indrit Dokle dhe Reçi janë liruar, kurse ky është mbajtur. Kur ka dalë për masë sigurie ka dalë elementi shtesë që në bazën ku u gjetën armë në një rezidencë në periferi të qytetit në një kuti paketimi u gjet gjurma e gishtit të Fation Muratit. Më 11 Tetor iu dha arrest me burg, më 28 Dhjetor, para Vitit të Ri kaloi në arrest shtëpie. Ai nuk ka qëndruar në Shqipëri. Ai është larguar. Në datën 7 Mars kur policia e ka gjetur unë besoj ka ardhur nga jashtë, po nëpërmjet linjës së Kosovës, pra nga Turqi në Prishtinë, ka kaluar kufirin, ka kaluar në Shqipëri. Ka plotësuar policia procesverbalin që ai është në rregull që ky u gjend në banesë dhe ai është larguar. 48 orë më parë ka shkuar në aeroportin “Adem Jashari”, nga aty ka lëvizur në drejtim të Stambollit. Di që në momentin që ka ndodhur ngjarja ka qenë në avion, por destinacioni kur del nga Shqipëria pastaj nuk dihet”, tha Hoxha.

Për gazetarin Hoxha me ngjarjen është synuar që të dërgohet një mesazh.

“Po sigurisht, pse për çfarë bëhet kjo? Ata që kanë porositur këtë lloj ngjarje, kanë një problem me ekzekutorët atje sepse kanë vrarë një njeri që nuk ka lidhje fare. Pra kanë vrarë gjyshen që punon 16 orë në ditë. Kanë vrarë gjyshen, çfarë të them më. Në çdo dyqan të mëhallës ishte me borxhe atje dhe sot policia jep 20 mijë Euro shpërblim. Me ato 20 mijë Euro ajo i kishte zgjidhur hallet, ne sot me 20 mijë Euro paguajmë kush na jep informacion kush nga vrau gjyshen”, u shpreh ai.

Breçani: Kështu do ndodhë nëse një person që vret 4 gra shkon atje ku është i këndshëm

Erzen Breçani, ish-shefi i RENEA-s e sheh situatën kriminale në vend si pasojë të mos reagimit të organeve të drejtësisë. Duke marrë shkas edhe nga rasti i Dan Hutrës, Breçani u shpreh se para 15-20 viteve, policia vepronte ndryshe ndaj personave që vrisnin.

Erzen Breçani: Thelbi i gjithë kësaj është: Kjo është reforma në drejtësi, prokurori, gjykatë dhe policia deri në farë mase. Kështu do të ndodhë përderisa një person që vret 4 gra dhe të më falin nga ana ligjore nuk duhet ta them këtë, shkon policia dhe e merr edhe e çon atje ku është i këndshëm dhe e merr e del atje përpara publikut sikur ka bërë heroizëm. Ka marrë 4 jetë robsh. Duhet të shkojë edhe njëherë edhe 15-20 vite mbrapa, çfarë ka kryer policia kundër këtyre personave dhe ku janë ata që kanë vrarë.

Blendi Fevziu: Çfarë t’i bënte policia, vetëm ta vriste?

Artan Hoxha: Neutralizim pra. Neutralizim quhet, termi shkencor është neutralizim.

Erzen Breçani: Ta neutralizojë. Ka shumë forma Blendi. Ligji i dënimit me vdekje nuk është. Ashpërsimi i ligjit nuk është. E shohim. Vriten njerëz, nuk janë të sigurtë. Gjykata dhe ambasadorët e huaj shkojnë për një vendim politik në gjykatë, nuk shkojnë… Çfarë do të bëjë babai i Ervis Martinajt? Ai e di çfarë djali ka pasur. E ka thënë. Iu kanë vrarë edhe tre të tjerë. Kapet një i dyshuar. Të paktën mbaje në burg për 2 vjet për armëmbajtje pa leje, mbaje se do bjerë pak. Çfarë duhet të bëjë ai tani? Duhet të rrijë? Ai kur akuzon kryeministrin… Kur kryeministri thotë për 3 muaj do të japim informacionin e saktë nga policia. Se policia ka informacion a është i gjallë apo jo. Nuk del me deklaratë, por në rrugë operative e di policia. Atëherë duhet thirrur edhe personi që të mos fillojë të organizohet. Nuk e di se kush i ka ngelur Ervis Martinajt. Ka bërë aq shumë vrasje saqë do i paguajë. Tani duhet të rrijë duarkryq ai tjetri? Ku është policia? Ku është gjykata? A e kape një person me armëmbajtje pa leje? Po. A e ke dënimin e tij? Po. Lëre ti të lirë, lëre të ikë dhe kështu do ndodhë./tvklan.al