#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Në studio: Blerina Gjylameti, Ervin Salianji, Fatjona Mejdini, Julian Zyla. Lidhje direkte: Mirela Milori

Salianji: Shqiptarët që vuajnë dënimin në burgjet e Anglisë do të kthehen këtu, kostot do t’i mbajë Shqipëria

“Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak ranë dakord që një ekip i përbashkët mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë do të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë, një proces që do të përfundojë deri në fund të Prillit me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve të përcaktuar shqiptarë në sistemin e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar”, ka qenë kjo një nga dakordësitë e arritura në takimin mes Kryeministri Rama dhe homologut të tij britanik, Rishi Sunak në Londër që është diskutuar mes të tjerash mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan.

Deputeti i Partisë Demokratike, Salianji është shprehur se në bazë të kësaj marrëveshje, qytetarët shqiptarë të burgosur në Britani të Madhe, do të trasferohen në burgjet e Shqipërisë dhe kostot do t’i paguajë Shqipëria.

Ervin Salianji: Nuk kemi të bëjmë me ekstradim. Jemi në tjetra kushte. Nuk kemi të bëjmë me marrëveshje ekstradimi. Të gjithë qytetarët shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet e Anglisë, sipas marrëveshjes që ka bërë qeveria shqiptare, do të kthehen në Shqipëri që ta vuajnë dënimin për ata që janë të dënuar, pra transferim. Shqipëria do t’i mbajë kostot, është e votuar në Parlament, të diskutuar nga ne, shqetësimi ka qenë ky kur ka kaluar kjo marrëveshje.

Qeveria e Britanisë së Madhe ka kërkuar që marrëveshjen që ka bërë me Ruandën, ta bëjë dhe me Shqipërinë që në këmbim të 1 milionë Paundëve në fillim, emigrantët e paligjshëm, jo vetëm shqiptarë, të vinin në Shqipëri derisa të merrnin një përgjigje. Kjo pati një reagim të madh nga opinioni publik, por nuk ndodhi.

Kemi arritur në këtë marrëveshje, është ratifikuar në Parlament, kostot do t’i mbajë Shqipëria. Qeveria e Britanisë do të kontribojë në projekte të tjera. Edhe ne kemi pasur takim. Ka të dërguar të posaçëm të kryeministrit të Britanisë së Madhe për çështjet e emigracionit dhe krimit vetëm për Shqipërinë, i cili ka një ekip i madh.

Qeveria shqiptare kullon si kullojëse makaronash. Qeveria e Shqipërisë mund të kërkonte më shumë leje qëndrimi për Shqipërinë. Në këto kushte, ka qytetarë që shkojnë për të punuar. Qeveria duhet të thoshte se këta të legalizohen dhe kjo të mos ketë fuqi prapvenduese, të bënte propagandë për shqiptarët, por jo. I ka bërë një dëm qytetarëve shqiptarë.

Rama në Londër, Gjylameti: Mënyra e duhur që Kryeministri të flasi për të drejtat e shqiptarëve

Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti e komenton si pozitive vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Londër ku u takua me homologun britanik Rishi Sunak.

Deklaratat e Ramës në mbrojtje të komunitetit shqiptar atje, Gjylameti i konsideron si mënyrën e duhur që Kryeministri të flasi për të drejtat e qytetarëve të vendit të tij.

“Përsa i takon bashkëatdhetarëve tanë dhe që jetojnë në Britani, unë besoj që është mënyra e duhur që Kryeministri i vendit të tyre të flasi për të drejtat e shqiptarëve, të flasi mbi atë që është kontributi i këtij komuniteti dhe të mos njësohet ajo çfarë është krimi i organizuar me atë çfarë është etnia, nacionaliteti apo çfarë është ai që nis me paragjykimin.

Është shumë e rëndë për çdo shqiptar të dëgjojë atë deklaratë të ministres së Brendshme britanike përsa i përket asaj çfarë ishte problemi i Britanisë në lidhje me krimin e organizuar. Dhe paskan qenë shqiptarët? Nuk e besoj këtë gjë. Nuk besoj që në një vend, kushdo qoftë vendi problemi i krimit të organizuar ka të bëjë me një nacionalitet. Nuk ndodh në asnjë vend të botës”, u shpreh Blerina Gjylameti. 

Ervin Salianji: Ramën e çuan në Londër çunat problematikë

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji e konsideron të turpshëm qëndrimin dhe deklaratat që bëri Kryeministri Edi Rama në Londër gjatë vizitës zyrtare ku u takua edhe me Kryeministrin britanik Rishi Sunak.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Salianji u shpreh se Rama ka shkuar në Londër “i ndihmuar” nga bandat kriminale.

Sipas tij, arsyeja e vizitës ishte rritja e kriminalitetit në Angli me origjinë nga Shqipëria.

“Këto janë turpe ku një Kryeministër i cili nuk ka dot në kontroll apo për më tepër e nxit kriminalitetin në vendin e vetë dhe e ka kthyer Shqipërinë, sipas raportit të DASH, në qendër operacionale për trafikun e kokainës, në vendburim për kanabisin, shkon aty dhe bën deklarata populiste. Askush prej qeveritarëve britanikë nuk e ka çështjen me Shqipërinë.

Janë shifrat ato që janë shqetësuese. Çfarë bëri Kryeministri me deklaratat e sotme? Riktheu në media të gjitha akuzat për shqiptarët prapë nga fillimi. Në përpjekje për të shmangur drejtësinë, Edi Rama u bëri dëm sot shqiptarëve. Pra nëse do të kishte një qasje serioze sot, Edi Rama duhet të kërkonte më shumë leje qëndrimi për shqiptarët, duhet të kërkonte lehtësim të procedurës së vizave për qytetarët shqiptarë, duhet të kërkonte që një pjesë e qytetarëve shqiptarë të cilët do të kthehen tani…

E di çfarë prodhoi kjo sot? Pse ka shkuar? Kush e ka ndihmuar? E ndihmojnë “çunat problematikë” apo bandat. Bandat për të mbledhur vota, për të ndarë pushtetin ekonomik, bandat për ta mbajtur në pushtet, bandat për të takuar Kryeministrin e Britanisë. Takimi i Ramës sot me Kryeministrin e Britanisë është për shkak të rritjes së kriminalitetit me origjinë nga Shqipëria. Për këtë arsye, çunat problematikë e kanë çuar në Londër Ramën”, tha ndër të tjera Ervin Salinji. /tvklan.al