Gjata: Kusht që të punojnë 3 vite në Shqipëri, në të kundërt do paguajnë më shtrenjtë. Vendimin e merr qeveria, jo universiteti

Qeveria ka bërë gati një paketë masash për stimulimin e mjekëve të rinj që të qëndrojnë në Shqipëri. Rektori i Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, një nga pjesëtarët e grupit të punës, thotë se asnjë mjek nuk do të mbahet kundër vullnetit, por dhe shteti nuk do të shpenzojë më para ata që duan të largohen.

“Është duke u përpiluar një paketë masash për të mbajtur mjekët në vend. Sepse nuk është e drejtë që studentët arsimohen më paratë e taskapaguesve, dhe pastaj të ikin në Gjermani dhe të mos u shërbejnë shqiptarëve por të ikin jashtë. Ata do duhet të firmosin një kontratë që të punojnë 3 vjet në Shqipëri, nëse s’do bien dakord atëherë do të detyrohen të paguajnë shpenzimet e plota të shkollimit”, thotë Arben Gjata, rektori i Universitetit të Mjekësisë.

Studentët që nuk do firmosin kontratën për të punuar 3 vite në Shqipëri, do të duhet të paguajnë tarifën reale të studimit, e cila është duke u përllogaritur.

“Nëse u referohemi vende të rajonit, tarifën e studimit varion nga 2500-3000 Dollarë në vit”.

Një tjetër lehtësi për ata studentë që vendosin të punojnë tre vite në Shqipëri pas mbarimit të Fakultetit të Mjekësisë janë edhe kreditë e buta për banesë.

“Do përfshihet dhënia e kredive të buta për mjekët e rinj që ata që kenë mundësi të marrin banesa me interesa të favorshme nga banka të nivelit të dytë dhe nëse largohen nga sektori publik atëherë do paguajnë me vlerën e tregut, nëse kështu është 2% do shtohet dhe 10%”.

Rektori Gjata tha se ende nuk ka një vendimarrje përfundimtare nëse kjo paketë masash do të hyjë në fuqi në vitin akademik 2023-2024, pasi nuk e përcakton universiteti, por qeveria.

Që nga viti 2016, universiteti raporton mbi 1 mijë mjekë të larguar nga Shqipëria, 20% e të cilëve ishin me përvojë dhe në specialitete të ndryshme.

Klan News