Papa Leoni XIV është rikthyer në Peru, vendin ku kaloi më shumë se 20 vite të jetës dhe shërbimit të tij fetar. Mbërritja e tij u prit me emocione të jashtëzakonshme, ndërsa miliona njerëz dolën në rrugë për ta përshëndetur dhe për t’i treguar se e konsiderojnë një prej tyre.
Nga aeroporti i Callaos deri në qendër të kryeqytetit, përgjatë më shumë se 10 kilometrave, rrugët ishin mbushur me njerëz. Sipas vlerësimeve të autoriteteve vendase, rreth tre milionë persona kishin dalë për të parë nga afër Papën. Në duart e tyre mbanin flamuj, rruzare dhe pankarta me mesazhin: “Papa po kthehet në shtëpi”.
Në mesin e turmës kishte familje të tëra, fëmijë, të moshuar dhe njerëz që nuk i mbajtën dot lotët nga emocionet. Disa fëmijë valëvitnin kukulla të veshura me të bardha, me fytyrën e Papës, ndërsa prindërit ngrinin në krahë foshnjat për t’i dhënë mundësinë të shihnin atë që për shumë peruanë ishte një moment historik.
I emocionuar që në momentin e zbritjes nga avioni, Leoni XIV u bashkua edhe me një grup fëmijësh për të kënduar himnin kombëtar të Perusë. Sytë e tij ishin të mbushur me lot, në një rikthim që për të ka një domethënie shumë më të madhe se një vizitë zyrtare.
Papa ka jetuar dhe shërbyer në Peru për më shumë se dy dekada. Në rininë e tij, si pjesëtar i urdhrit agustinian, punoi si misionar në Chulucanas nga viti 1985 deri në vitin 1986 dhe më pas në Trujillo nga viti 1988 deri në vitin 1999. Pas 12 vitesh në krye të urdhrit të tij, në vitin 2015 u rikthye në Peru si ipeshkëv i Chiclayos, detyrë që e mbajti deri në fillim të vitit 2023, kur Papa Françesku e thirri në Romë për të drejtuar Dikasterin për Ipeshkvijtë. Në shtator të po atij viti u emërua kardinal.
Gjatë fjalimit të tij të parë në Peru, pas takimit me presidenten Keiko Fujimori, Leoni XIV u shpreh se ky rikthim ishte një moment shumë i veçantë për të, pasi lidhja me vendin kishte nisur shumë kohë përpara se të merrte drejtimin e dioqezës së Chiclayos.
“Për shumë vite kam ndarë jetën me njerëzit e këtij vendi, kam dëgjuar shqetësimet e tyre dhe kam mësuar nga besimi i tyre. Shumë prej tyre më kanë hapur dyert e shtëpive, kanë ndarë me mua tryezën e bukës dhe më kanë bërë të ndihem njëri prej tyre. Në vitin 2015 mora edhe shtetësinë peruane. Sot e kuptoj se sa shumë nga kjo tokë mbetet brenda meje dhe sa pjesë e historisë sime i përket edhe juve”, tha Papa.
Ai theksoi se po kthehej këtë herë si pasardhës i Shën Pjetrit, me përgjegjësinë për t’i shërbyer Kishës Katolike në mbarë botën, por pa harruar vitet që e formuan si njeri dhe si drejtues shpirtëror.
Në fjalimin e tij, Papa u ndal edhe te problemet me të cilat përballet shoqëria peruane, duke bërë thirrje për më shumë drejtësi, solidaritet dhe respekt për dinjitetin njerëzor. Ai përmendi dhunën, vështirësitë ekonomike, punën e vështirë të fermerëve dhe peshkatarëve, si dhe sakrificat e grave që mbajnë gjallë kuzhinat dhe mensat komunitare për familjet në nevojë.
Leoni XIV kërkoi që autoritetet të mos harrojnë njerëzit që jetojnë larg qendrave të vendimmarrjes dhe të dëgjojnë më shumë nevojat e tyre. Sipas tij, një vend demokratik duhet të pranojë mendimet e ndryshme dhe të punojë për të mirën e përbashkët.
Ai rikujtoi edhe periudhat e vështira që ka kaluar Peruja, duke theksuar rëndësinë e trajtimit me drejtësi të ngjarjeve të së kaluarës dhe nevojën për të ndërtuar një shoqëri ku dallimet nuk kthehen në përçarje.
Papa foli gjithashtu për kujdesin ndaj të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe atyre që përballen me vetminë apo probleme të shëndetit mendor. Ai u bëri thirrje autoriteteve të ofrojnë shërbime shëndetësore më të aksesueshme dhe të investojnë më shumë në parandalimin e sëmundjeve.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës së tij do t’i kushtohet edhe mbrojtjes së mjedisit. Gjatë pesë ditëve të qëndrimit në Peru, deri të hënën, Leoni XIV do të vizitojë edhe zonat e Andeve dhe Amazonës, ku do të takohet me komunitetet vendase.
Ai theksoi se zhvillimi ekonomik dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore duhet të shoqërohen me mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e njerëzve që jetojnë në këto zona. Sipas tij, teknologjia dhe inteligjenca artificiale mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetësisë, arsimit dhe parandalimin e rreziqeve natyrore, por përfitimet e tyre duhet të jenë në shërbim të të gjithë njerëzve.
Në fund të fjalimit, Papa u ndal te rëndësia e paqes dhe bashkëpunimit mes vendeve, duke bërë thirrje për dialog, respektim të së drejtës ndërkombëtare dhe zgjidhje diplomatike të konflikteve.
Megjithatë, fjalët më emocionuese të tij ishin ato që iu drejtuan drejtpërdrejt popullit peruan, me të cilin ka ndarë një pjesë të madhe të jetës.
“Kam marrë shumë nga ju. Ka fytyra, biseda dhe gjeste dashurie që, edhe pas kaq shumë vitesh, vazhdojnë të më shoqërojnë. Zoti e bekoftë Perunë dhe të gjithë banorët e saj”, përfundoi Papa Leoni XIV.
/tvklan.al












Botërori 2026 
