Testime masive për të zbuluar antitrupat në gjak

Një strategji e re po aplikohet në Itali, në betejën kundër koronavirusit. Guvernatori i Venetos ka vendosur të kryejë mijëra teste serologjike që mund të verifikojnë nëse një person ka apo jo imunitet ndaj virusit. Në këtë mënyrë, imunët do të mund të kthehen në punë.

Komiteti Shkencor Teknik i rajonit dha aprovimin për projektin e kërkimit të antitrupave nëpërmjet analizave të gjakut të 60 mijë punonjësve të shërbimit shëndetësor dhe të 20 mijë punonjësve të azileve për të moshuarit, dy kategoritë më të ekspozuara ndaj rrezikut.

Mbi baza vullnetare, do të testohen punëtorët e kategorive të prodhimit, të cilët në këtë mënyrë shpresohet të kthehen në kompanitë e tyre.

Mjekët thonë se kanë në dorë një test të shpejtë për të zbuluar sasinë e antitrupave mbrojtës kundër COVID-19. Bëhet fjalë për një kit të prodhuar nga një kompani kineze që ka një saktësi prej 90 përqindësh. Ajo besohet se do të mundësojë identifikimin e personave që janë imun ndaj infeksionit.

Ideja është që t’u jepet një lloj licence imuniteti atyre personave të cilëve do t’u gjenden antitrupa kundër koronavirusit, pra që e kanë marrë virusin, por janë shëruar prej tij.

Tv Klan