23 shtator 2026 – Partia Demokratike ka mbledhur të mërkurën Grupin Parlamentar dhe Kryesinë. Kryedemokrati Sali Berisha, e nisi fjalën e tij duke u ndalur te masa e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, e cila po hetohet nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me dosjen e njohur si dosja e “AKSHI-t”.

Ai e akuzoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai e ka vendosur kreun e SHISH në shërbim të krimit dhe mafies.

“Shqiptarët çdo ditë njihen me një kapitull gjithnjë e më të zi të narkoshtetit të instaluar në Shqipëri. Dokumentet e fundit zyrtare gjyqësore, të cilat faktojnë se Edi Rama ka vendosur në funksion të karteleve të drogës dhe mafies, Shërbimin Informativ Kombëtar, kreun e këtij shërbimi. E krahasojnë Shqipërinë me asnjë vend tjetër në Evropë. E krahasojnë Shqipërinë me Guinea Bisaun, të cilën kartelet mizore të drogës të Amerikës Latine e shndërruan në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Afrikë. Historiku i kësaj mostre, që në kod, ligj dhe në Kushtetutë kishte detyrim sigurinë kombëtare dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë, është tipik në përzgjedhje, në qëndrime i një padrinoje. Edi Rama merr një person të shkarkuar nga detyra nga Shërbimi Inteligjent i Kosovës dhe e emëron në një akt të pashembullt në histori në krye të SHISH. Për të njëjtat motive që kjo, mund t’i vësh çdo epitet, por nuk dua që ta rëndoj gojën sepse rasti është më i turpshmi në histori, mediat e botës kanë dy lajme kryesore që ta dini, sigurisht kanë fjalimin e presidentit Donald Trump në OKB, por sigurisht në të katër anët e botës është edhe lajmi i Vlora Hysenit. Lajmi i turpshëm i Vlora Hysenit!”

“Edi Rama, sapo u bë publik skandali, sepse ju duhet të jeni të sigurt se ai ka qenë i informuar, ai dhe jo vetëm ai, urdhër arresti për drejtuesen e SHISH, shërbim që funksionon në një sistem bashkëpunimi të ngushtë në kuadrin e NATO-s, shërbim që në traditën e tij, ka një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë më kryesorë në fushën e sigurisë, shërbim real dhe me kontribute të pamohueshme. Pra, përpiqet ta paraqesë sot me ca transkripte si një aferë dashurie (love affair). E vërteta është se Vlora Hyseni çdo hap, çdo vendim e ka bërë me dijeni dhe porosi të Edi Ramës. Lexoni transkriptin, pres nesër nga Skënderi se mos ka ndonjë porosi nga kryeministri. Kryeministri, porositë Skënderit do ia jepte për Agasin. Për gjë tjetër nuk ka pse merrte shefja e shërbimit porosi nga Skënderi”, theksoi ai.


Berisha ashpërson tonet: Kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Ramës

Ai theksoi se Partia Demokratike, kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, duke bërë atë përgjegjës për situatën e SHISH dhe jo vetëm.

Sipas tij, Partia Demokratike do të përballet me atë që ai e cilësoi si “narkoshtet”, që drejtohen nga kryeministri.

“Kërkojmë dorëheqje të menjëhershme të kryeministrit, si akt i vetëm dhe i domosdoshëm. Parlamenti këtë çështje do ta ketë çështjen më kryesore”, tha ai.


Berisha “ultimatum” të vetëve: Edi Rama nuk ikën, po nuk e hoqëm ne

Më tej, Berisha dha porositë për të vetët, ndërsa kërkoi prej tyre angazhim deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ai tha se është nevojë urgjente që Shqipëria të shpëtohet nga këta persona, që sipas tij, kanë prodhuar vetëm pasoja negative për vendin.

“Fjalën duhet ta marrin qytetarët shqiptarë, zgjedhësit tanë, ndaj është e domosdoshme që të kenë përparësi absolute takimet me ta, sqarimet dhe angazhimi i tyre i përbashkët me ne. Edi Rama nuk ikën po nuk e hoqëm ne.

Duhet të shpëtojmë vendin, këto janë kulmi. Praktikisht janë kulmet e shembura të një shteti, i cili po zë shqiptarët brenda. Ndaj dhe PD, Grupi Parlamentar, Kryesia, forumet e saj duhet të shqyrtojnë qëndrimet në këtë situatë kritike dhe dramatike të krijuar”, tha ai.


/tvklan.al