Partia Demokratike publikoi dy dokumente që sipas saj provojnë se pas ndërtimit të resortit turistik në pronën e grabitur nga deputeti socialist Alket Hyseni në bregdetin e Dhërmiut qëndron kryeministri Edi Rama.

Sipas demokratëve leja zhvillimore dhe ajo e ndërtimit janë dhënë në shkelje të vendimit të Gjykatës, që parashikon ende edhe sot pezullim të çdo veprimi me pronën e familjes Bua.

“Dokumentet e lejes zhvillimore dhe të ndërtimit në pronën e grabitur prej Alket Hysenit, në shkelje të vendimit të Gjykatës, provojnë se Edi Rama është në krye të skemës mafioze për grabitjen e tokave në bregdet. Dokumenti i parë tregon se Edi Rama, si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, ka firmosur lejen për zhvillimin e kompleksit turistik dhe një vit më pas ka firmosur sërish, për dhënien e lejes së ndërtimit në këtë kompleks për mikun e tij ndërtues Gon Papuli dhe për deputetin e tij, Alket Hyseni”, tha Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj.

Opozita thotë se denoncimi i këtij rasti nga ana e saj duhet t’i shërbejë organeve të drejtësisë si shembull i kthimit të shpresës për një drejtësi jopolitike, që punon për qytetarët dhe jo për pushtetarët.

Tv Klan