Wes Streeting ka dhënë dorëheqjen nga posti i sekretarit britanik të Shëndetësisë, duke rritur presionin mbi kryeministrin Keir Starmer dhe duke nxitur spekulime për një garë të mundshme për udhëheqjen e Partisë Laburiste.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Streeting deklaron se ka “humbur besimin” te udhëheqja e Starmer-it, duke theksuar se do të ishte “e pandershme dhe pa parime” të vazhdonte të qëndronte në detyrë. Ai kritikoi ashpër drejtimin politik të qeverisë, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit të “dëgjojë kolegët”, përfshirë deputetët e thjeshtë të partisë.

Ish-ministri i Shëndetësisë i cilësoi rezultatet e zgjedhjeve të fundit si “të paprecedenta”, si për nga humbja e thellë ashtu edhe për pasojat politike që ato sollën.

Sipas tij, progresistët në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar po humbasin besimin te aftësia e Partisë Laburiste për të ofruar shpresë dhe vizion për të ardhmen e vendit.

“Ju keni shumë cilësi të mëdha që unë i admiroj. Ju e çuat partinë tonë drejt një fitoreje që pak kush e mendonte të mundur në vitin 2024 dhe unë isha krenar që luftova përkrah jush në llogoret e asaj fushate. Keni treguar guxim dhe burrështetësi në arenën ndërkombëtare, jo më pak duke e mbajtur Britaninë jashtë luftës në Iran.

Por aty ku kemi nevojë për vizion, kemi një boshllëk. Aty ku kemi nevojë për drejtim, kemi lëkundje dhe paqartësi. Kjo u nënvizua nga fjalimi juaj të hënën. Udhëheqësit marrin përgjegjësi, por shumë shpesh kjo ka nënkuptuar që njerëz të tjerë të sakrifikohen.”, tha Streeting, citon BBC.

Streeting përmendi gjithashtu disa nga arsyet që, sipas tij, kanë ndikuar në rënien e popullaritetit të qeverisë, duke përfshirë vendimin për shkurtimin e ndihmës për ngrohjen dimërore dhe fjalimin e debatueshëm të Starmer, të njohur si “ishulli i të huajve”, të mbajtur në maj të vitit 2025.

Në një nga pjesët më të forta të letrës, ai kritikoi mënyrën se si trajtohen zërat kundërshtues brenda partisë. “Ju gjithashtu duhet të dëgjoni kolegët tuaj, përfshirë deputetët e thjeshtë, dhe qasja e ashpër ndaj zërave kundërshtues e dëmton politikën tonë”, shkruan Streeting.

Ai shtoi se tashmë është e qartë se Keir Starmer nuk do ta udhëheqë Partinë Laburiste në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe kërkoi që debati për pasuesin të zhvillohet mbi ide dhe programe, duke përfshirë “fushën më të mirë të mundshme të kandidatëve”.

Pavarësisht kritikave, Streeting u shpreh se posti i sekretarit të Shëndetësisë ka qenë “nderi më i madh i jetës” së tij. Ai vlerësoi punën e bërë në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor (NHS), duke thënë se sistemi është “në rrugën e rimëkëmbjes”, megjithëse mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

/tvklan.al