Bjellorusia kërcënon BE-në me bllokimin e gazit rus

Kriza kufitare Bjellorusi-Poloni po thellohet me mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme të bllokuar në kushte të rënda për shkak të temperaturave të ulëta. Në kushtet kur vijon tensioni në kufi udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko ngriti mundësinë që ai të mbyllë tranzitin e gazit rus që shkon në Europë nëpër Bjellorusi në rrugën për në Poloni dhe më pas në Gjermani si hakmarrje ndaj çdo sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Europian.

Tregu europian i gazit, ku çmimet kanë arritur nivele rekord në javët e fundit, do të ishte shumë i ndjeshëm ndaj çdo ndërprerjeje të rrjedhës së gazit rus nëpërmjet Bjellorusisë. Bashkimi Europian do të zgjasë sanksionet kundër Bjellorusisë, u tha ligjvënësve gjermanë ministri i Jashtëm në detyrë i Gjermanisë, Heiko Maas.

Njoftimi erdhi ndërsa liderja e opozitës bjelloruse Svetlana Tikhanovskaya po qëndronte në galerinë e vizitorëve në parlamentin gjerman. Vendet në kufi me Bjellorusinë Lituania, Estonia dhe Letonia shprehën shqetësimin se një krizë mbi numrin në rritje të emigrantëve që përpiqen të depërtojnë kufijtë e saj në Bashkimin Europian mund të përshkallëzohet në një konfrontim ushtarak dhe kërcënim serioz për sigurinë evropiane.

Emigrantët nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika të bllokuar në Bjellorusi bënë përpjekje të shumta për të hyrë në Poloni ndërsa Varshava ka përforcuar kufirin me roje ushtarake shtesë. Emigrantët e bllokuar brenda Bjellorusisë hodhën gurë mbi rojet kufitare polake e po përpiqen për të prishur një gardh me tela me gjemba në përpjekje për të hyrë me forcë në territorin e BE. Polonia është duke refuzuar që të lejojë hyrjen e migrantëve në territorin e saj dhe ka dërguar qindra trupa në kufi.

Autoritetet polake pretendojnë se shtatë migrantë ishin gjetur të vdekur në anën e saj të kufirit, me raporte për më shumë vdekje në Bjellorusi. Grupet humanitare akuzojnë nacionalistët në pushtet në Poloni se kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare për azil duke i shtyrë emigrantët të kthehen në Bjellorusi në vend që të pranojnë kërkesat e tyre për mbrojtje. Polonia thotë se veprimet e saj janë të ligjshme.

Liderët e BE-së kanë akuzuar Minskun se është duke i marrë ata nga vendet e varfra dhe me qëllim po i shtyn drejt kufirit me Poloninë, duke tentuar të shkaktojë kaos në BE.

Klan News