Pio Esposito po përjeton një moment të jashtëzakonshëm dhe po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë te Interi.
Sulmuesi 21-vjeçar po e shpërblen besimin me gola dhe paraqitje bindëse, duke treguar se është gati të marrë përgjegjësi në skuadrën zikaltër.
Prova më e fundit ishte paraqitja ndaj Atalantës, ku realizoi tripletën e parë në Serie A, duke e çuar në gjashtë numrin e golave në kampionat.
Esposito është gjithashtu lojtari i katërt më i ri që kalon kuotën e 11 golave me fanellën e Interit, pas Balotellit, Martinsit dhe Ronaldos.
Por, pavarësisht tripletës dhe paraqitjes së shkëlqyer personale, sulmuesi zikaltër mbetet i zhgënjyer, pasi tre golat e tij nuk mjaftuan për t’i dhënë Interit fitoren.
Një rezultat që i kushtoi skuadrës zikaltër edhe rënien në vendin e tretë të renditjes.
“E kam të vështirë ta shijoj tripletën, pasi nuk na ndihmoi të merrnim fitoren, që është më e rëndësishmja. Ndoshta u treguam të pakujdesshëm kur kaluam në avantazh, duke i dhënë kundërshtarit mundësinë të rikthehej në lojë. Megjithatë, do të ishte e tepruar ta konsideronim këtë një hap pas për Interin”, tha Esposito.
Bilanci i tij bëhet edhe më mbresëlënës nëse përfshihen të gjitha kompeticionet dhe kombëtarja italiane, 12 gola në 20 ndeshje.
Një rritje e ndjeshme krahasuar me sezonin e kaluar, kur realizoi 13 gola në 53 paraqitje.
Mungesa e Lautaro Martinezit i hapi rrugën për më shumë minuta, por Esposito po dëshmon se mund të jetë shumë më tepër se një alternativë në sulm.
Interi duket se ka në duar një nga talentet më premtuese të futbollit italian.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
