Veliaj: Në Shtator nisin kurset teknologjike

Brenda verës përfundon edhe pjesa e brendshshme e Piramidës, së bashku me pajisjet teknologjike.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, vizituan Piramidën e Tiranës, e cila shumë shpejt do të pajiset edhe me mjetet e nevojshme për një qendër teknologjie.

“Është një ditë e jashtëzakonshme, ndërtesa e Piramidës është hapur, bashkë me disa nga kubat. Sigurisht, ajo mbetet ende kantier, sidomos për pjesën elektronike, për të cilën ne do të shfrytëzojmë periudhën e verës, teksa fëmijët shkojnë me pushime, – të mbarojmë edhe semestrin e qendrës TUMO te Stadiumi – që kur të rikthehen nga pushimet të gjejnë Piramidën e transformuar me të gjitha pajiset teknologjike për kurset e tyre”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Në Shtator tek piramida do të nisin kurset e para teknologjike.

“Në Vjeshtë do të kemi mbledhjen vjetore të bordit  të AADF-së dhe hapjen zyrtare edhe për kurset. Në këtë moment, kemi hapur vetëm atë që quhet ‘harduare’ dhe në fund të verës do të hapim edhe atë që quhet ‘software’, pra pjesa e nxënies dhe e mësimit”, theksoi Veliaj.

“Programi që do ndërtojmë së bashku, do të aftësojë fëmijët shqiptarë për të qenë të aftë të konkurrojnë në Shqipëri dhe në botë, për të qenë në ballë të ndryshimeve teknologjike që po përjetojmë të gjithë”, u shpreh Granoff.

Nga projekti i Piramidës do të përfitojnë rreth 4 mijë të rinj të grupmoshës 12-18 vjeç.

Tv Klan