Një 38-vjeçar mbeti i plagosur me thikë paraditen e kësaj të mërkure në Shkodër. Gazetarja Emi Kalaja thotë se ngjarja ka ndodhur në një lavazh, në lagjen Rus të këtij qyteti.

Sipas gazetares, i plagosur ka mbetur Artan Bobnaj, punonjës i lavazhit. Ai mësohet se ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Dyshimet paraprake janë se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit.

Me të shkuar në vendngjarje, policia identifikoi dhe arrestoi autorin e dyshuar të ngjarjes. Ai është 78-vjeçari Musa Çinari. Autoritetet sekuestruan edhe thikën e përdorur prej tij.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë e rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 11:30, në lagjen “Rus”, dyshohet se pas një konflikti të çastit, është plagosur me mjet prërës (thikë), shtetasi A. B., 38 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër, i cili ndodhet në spitalin e Shkodrës, në kujdesin e mjekëve. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën, me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale operacionale, shërbimet e Policisë identifikuan dhe shoqëruan menjëherë në ambientet e Policisë, autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasin M. Ç., 78 vjeç, banues në lagjen Partizani, Shkodër, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, tha policia e Shkodrës në një njoftim për mediat./tvklan.al