Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në qytetin e Korçës mbrëmjen e së dielës. Nga korrespondentja e Klan News në këtë qytet, Daniela Zisi, mësohet se një person ka mbetur i plagosur në këmbë me armë zjarri.

Ai është paraqitur në spitalin e Korçës për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake bëhet me dije se i plagosuri Romeo B. ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta.

INFORMACIONI PARAPRAK I POLICISË SË KORÇËS:

Më datë 18.09.2022, rreth orës 20:20, në Spitalin e Korçës është paraqitur i dëmtuar në këmbë, dyshohet me armë zjarri shtetasi R. B., rreth 53 vjeç, banues në Korçë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga të dhënat e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur në një lokal, në lagjen nr. 16, Korçë.

Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /tvklan.al