564 në pranga për vepra të ndryshme penale

Policia ka bërë bilancin për këtë fillim vit, ku vetëm gjatë muajit Janar janë finalizuar 94 operacione. Në pranga kanë rënë 564 shtetas, 69 prej të cilëve të shpallur me herët në kërkim brenda po jashtë vendit.

Pjesën më të madhe të vëmendjes duket se e ka zënë sërish lufta kundër trafikut të drogës me 203 raste, e ndjekur nga krimi ekonomik me 120 të tilla.

Janë sekuestruar 83 kilogramë kanabis, 511 fidanë dhe bimë narkotike, qindra doza kokaine e heroine, si dhe 1007 tableta ekstazi.

94 raste janë goditur për armëmbajtje pa leje. Duke bërë  që në total të sekuestrohen 3 arsenale armësh në vende të ndryshme.

Vëmendjen muajin që lamë pas e mori operacioni ndaj kamerave të instaluara nga grupet kriminale. Operacioni “Fijet” çmontoi mbi 500 kamera në të gjithë vendin duke vënë nën hetim 101 persona.

Policia thotë janë sekuestruar rreth 1 milion Euro pasuri me burim krimin, si dhe shuma të tjera parash e objekte me vlerë.

Hetimet bënë zbardhjen e 3 vrasjeve të ndodhura gjatë periudhës 2019-2022. Operacionet  e zhvilluar në qarqet Tiranë, Durrës dhe Dibër, identifikuan dhe vunë në pranga 9 shtetas, për vepra të rënda penale ndaj jetës. Po ashtu u zbardhën edhe 2 shpërthime me eksploziv, të ndodhura në Shkodër, në vitin 2020.

Tv Klan