Një operacion i madh policor është zhvilluar në disa qytete të vendit pas zbulimit të disa ngjarjeve kriminale nga një grup vrasësish me pagesë.. Gazetarja e Klan News, Glidona Daci mëson se Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar 15 urdhër-arreste.
Sipas informacioneve të gazetares, janë zbardhur 6 vrasje të kryera për llogari të grupit të Laert Haxhiut, të arrestuar në Janinë të Greqisë pak muaj më parë. (Lexo më shumë)
Sipas informacioneve të gazetarit të Klan News Besar Bajraktari, ngjarjet kriminale të kryera ndër vite janë zbardhur nga Artan Tafani, i cili është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë. Tafani ka qenë në kërkim prej 4 muajsh për grabitjen e një pike të këmbimit valutor në Astir të Tiranës.
Ai ka rrëfyer se vrasjet janë kryer në Greqi, Elbasan, Korçë, Lushnje dhe Tepelenë. Deri tani janë arrestuar 2 persona nga Pogradeci.
Sipas të dhënave të gazetarit Bajraktari, që prej identifikimit të Tafanit si grabitës, policia ka pasur dyshime të përfshirjes së tij në aktivitet të theksuar kriminal, pjesë e grupit të Laert Haxhiut me bazë në disa qytete.
Ai ishte mbajtur në vëzhgim për disa kohë dhe më pas është ndërhyrë për arrestimin e tij. Kapja e Tafanit është mbajtur sekret për shkak të hetimeve dhe rrëfimeve që po bënte për ngjarjet kriminale.
Artan Tafani u arrestua disa ditë më parë nga Policia e Lushnjes, pasi ishte shpallur në kërkim si autor i grabitjes së 40 mijë Eurove në një pikë të këmbimit valutor në zonën e Astirit në Tiranë në muajin Qershor 2023. (Lexo më shumë)
Operacioni policor nisi që prej mesditës së të mërkurës në disa qytete të vendit.
Kush është Artan Tafani?
Ai është autori i grabitjes së 40 mijë Eurove në pikën e këmbimit valutor në Astir mëngjesin e 28 Qershorit 2023. 39-vjeçari rezulton se përdor dhe emrin Marius dhe sipas policisë ka qenë dhe më parë i dënuar për vjedhje.

Pas grabitjes ai u largua me biçikletë dhe me ndihmën e një tjetër personi e ka fshehur në një garazh automjetesh. Policia ka zbuluar dhe më pas ka arrestuar se bashkëpunëtori i Tafanit është Enio Meçaj, 35 vjeç, banues në Fier.
Gjithashtu po në të njëjtin garazh, uniformat blu kanë gjetur dhe një automjet i cili rezultoi i vjedhur në Shkurt të 2023 në zonën e Shijakut.
Grupi i Lushnjes i drejtuar nga Laert Haxhiu
Laert Haxhiu 31 vjeç, u arrestua në Maj 2023 në Janinë me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

(Foto: Laert Haxhiu i ndaluar nga autoritetet greke në Janinë)
Haxhiu qarkullonte në Greqi me një leje qëndrimi të falsifikuar në identitetin e një shtetasi gjeorgjian, Mikis Askalidis 32 vjeç, dhe u ndalua pas shkëmbimit të informacioneve me palën shqiptare.

(Foto: Laert Haxhiu dhe makina tip BMW me të cilën udhëtonte kur u arrestua në Janinë)
Ai ishte në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjës me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, si autor i një ngjarje në 2016 ku mbetën të plagosur dy persona.
Gjithashtu Laert Haxhiu, u shpall në kërkim si njeriu kryesor në atentatin ku mbetën të vrarë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu në Tetor të 2017 në Lushnjë.
Për këtë ngjarje, janë dënuar me burg perjetë, me vendim të formës së prerë në Shqipëri Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi, teksa Gjykata e Posaçme vijon gjykimin në mungesë të Laert Haxhiut që prej disa muajsh.
Sipas SPAK, dy viktimat në atentatin e Tetorit 2017 njiheshin si lidhje e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares, dhe SPAK thotë se Shkurti ka qenë edhe objektiv i atentatit, ndërsa zanafilla e hakmarrjes lidhet me konfliktet e vjetra të ‘Bandës së Lushnjës’.
Laert Haxhiu gjithashtu rezulton person i përfshirë edhe në çështje të trafikut drogës në Shqipëri dhe i dënuar nga Gjykata e Durrësit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
