Lewandowski me shokë nuk fitojnë në tre takimet e fundit

Humbja ndaj Republikës Çeke ka rritur presionin te Polonia. Kombëtarja e teknikut Fernando Santos e nisi në mënyrën më të keqe të mundshme rrugën drejt Euro 2024, duke vënë në dyshim prezencën në turneun gjerman. Një disfatë që dhemb në prag të duelit të 27 Marsit kundër Shqipërisë, me kuqezinjtë tanë që do gjejnë përballë një skuadër të uritur për pikë.

Nga ky 90 minutësh, tekniku Sylvinho mund të ketë marrë shënime të domosdoshme për sfidën e së hënës, me Poloninë që tregoi se është shumë larg nga ajo skuadër e pak muajve më parë në Katar.

Tjetër lajm i mirë për Shqipërinë është edhe dëmtimi i Matty Cash, me mbrojtësin e Aston Vijës që është në dyshim për duelin me kuqezinjtë.

Ai qëndroi në fushë për vetëm 8 minuta, për t’i lënë më pas vendin Gumny, që nuk arriti të bëj diferencën në korsinë e djathtë. Me humbjen ndaj Çekisë që është ktheyr në mace të zezë për ta, Polonia është mposhtur në tre duelet e fundit, mes të cilave edhe nga dy kombëtaret finaliste të Kupës së Botës në Katar.

Shpresë për të tentuar përsëritjen e historisë së 8 vite më parë jep edhe barazimi 1-1 mes Moldavisë dhe Ishujve Faraoe. Një pikë mes dy skuadrave më të dobëta në letër për grupin E kualifikues, me Shqipërinë që fokusin e saj do e përqendrojë tek dueli i së hënës ku tentohet vetëm fitorja.

Klan News