Raportim Live
22:24, 26 Korrik 2024

Miratohet projektligji për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Projektligji për ndryshimet në Kodin Zgjedhor është miratuar me 106 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim.

22:21, 26 Korrik 2024

Miratohet amendamenti i deputeteve të Kuvendit

Me 103 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim, miratohet amendamenti i deputeteve, ku mes të tjerash thuhet: Në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që duke filluar nga kreu i listës një në tre emra të saj t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidatja e tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra të saj i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar sipas numrit të votave që këto të fundit kanë marrë. Mbi bazën e këtij kriteri, hartohet lista përfundimtare që i nënshtrohet votimit parapëlqyes e rirenditur, e cila përdoret për zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.”

Albana Vokshi: Do të doja të mos ishte kuota sepse ka pafund gra të mira dhe të shkëlqyera. Nëse nuk do të ekzistonte kuota nuk do i kishim as këto gra. Është e domosdoshme kuota, sepse nëse nuk do të ishte do të kishim shumë gra më pak. Kërkojmë barazi gjinore sepse jemi gjysma. Ne kërkojmë minimumin për të mbrojtur atë 30% që ka qenë, jo për të fituar pak më shumë. Kjo nuk është beteja jonë, është për ato gra dhe vajza që e kanë të pamundur nëse nuk është kuota për t’u futur në lista. Kam thirrje për burrat që të votojnë që të ketë më shumë, gra në listat e ardhshme. Gratë në lista i bëjnë nder listave. Mos e reduktoni kuotën, lëreni 30%.

22:14, 26 Korrik 2024

Kuvendi nuk miraton amendamentin e Bashës për ndryshime në Kodin Zgjedhor

Amendamenti i Bashës për një shtesë për ndryshime në Kodin Zgjedhor nuk është miratuar. Vetëm 4 deputetë kanë votuar pro, 75 kundër dhe asnjë nuk ka abstenuar.

Lulzim Basha: Tani nuk ka më justifikim. Nuk ka më nuk e dija, ndaj ky është shanci i fundit që mos ta votoni këtë gërmallë. Ky është me të vërtetë fillimi i një nate të zezë ku politika kthehet në një zgjedhë në duart e kryeministri dhe ish-kryeministrit e bandave dhe ju ktheheni në konkubina të tyre. Unë po ju paralajmëroj mos votoni për mbylljen e listave. Mos mendoni se ju do të jeni përjashtimi i atyre që përplasen me popullin e vet dhe qëndroni ju në këmbë e bëhet populli bëhet pluhur. Mos mendoni se do t’i mbijetoni këtij teatri të shëmtuar. Dita do të vijë do të merrni atë që meritoni. Populli prap do të qëndrojë në këmbë ju do të bëheni pluhur.

22:08, 26 Korrik 2024

Kuvendi nuk miraton amendamentin e Mediut, Dukës dhe Dules për ndryshime në Kodin Zgjedhor

Amendamenti i Mediut, Dukës dhe Dules për një shtesë për ndryshime në Kodin Zgjedhor nuk është miratuar. Vetëm 14 deputetë kanë votuar pro, 75 kundër dhe asnjë nuk ka abstenuar. Para votimit, Mediu ka përmbledhur arsyet e këtij amendamenti.

Fatmir Mediu: Jo më pak se 2 të 3 e listave për zgjedhjet, duhet t’i nënshtohen garës. Këtë të drejtë, nuk mund ta heqë ligji që miratoni ju sot. Kam besimin që në situatën që ka Shqipëra, në mungesën e vullnetit për të bërë zgjedhjet të lira. Kam bindjen që krijon mundësinë që diaspora të votojë dhe të shihet si dekor, por të jetë pjesë e garës për të shmangur një problem jo të vogël që vjen nga ky votim për të bërë të mundur ndryshimin e mandateve. Besoj që Shqipëria, politika ka nevojë për rigjenerim dhe ky rigjenerim do të vijë nëpërmjet garës.

21:58, 26 Korrik 2024

Kuvendi voton ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi në parim me 105 vota pro, 8 kundër dhe asnjë abstenim në mbyllje të sesionit parlamentar ndryshimet e dakordësuara mes palëve në kodin elektoral, atë për votën e diasporës dhe ndarjen e mandateve.

17:10, 26 Korrik 2024

Bylykbashi: Ky sistem zgjedhor duhet shkulur me rrënjë, toksik për shoqërinë shqiptare

Bylykbashi: Parlamenti dështoi që të bënte Reformën Zgjedhore. Mazhoranca bllokoi reformën. Nëse sot ne diskutojmë pikërisht për problemin themelor. Flasim për sistemin. Demokracia brenda partive politike është në gramat e fundit. Po përpiqemi në opozitë duke futur primaret dhe votimet, por nga ana tjetër merret peng vula. Nëse nuk detyrojmë partitë me ligj që të bëjnë gara të brendshme, nëse ne nuk institucion, këtë sistemi zgjedhor i vdekur pa lindur. Nuk ka Reformë Zgjedhore, asgjë për të ndaluar shtetin që të pushtojë shtetin, asgjë kundër patronazhistëve. Dakord me Bardhin që tha se OSBE duhet të dalë dhe të mbajë qëndrim. Po të mos kishte ndodhur 2019, sot ne nuk do të ishim të detyruar për të korrigjuar shëmtinë që ndodhi në 2020. Me këtë sistem, 40 veta së paku, do të zgjidhen me votën e shqiptarëve. Tani thonë që 40 është më e vogël se 6, po çfarë matematike është kjo?

Të gjithë të garojnë për mandatet e lira për të përmbysur status quo-në. Ky sistem zgjedhor, kjo që po bëjmë ne sot është riparim, ky sistem zgjedhor duhet shkulur me rrënjë, është toksik për shoqërinë shqiptare, për pluralizimin. Ky sistem që kemi sot duhet çrrënjosur sa më shpejt. Çdo sistem që do të miratohet pa u ndryshuar kushtet për zgjedhjet, dështon sepse blehet vota, bëhet patronazhimi. Të gjithë shqiptarët që janë jashtë kanë të drejtën të votojnë. Shqiptarë që jeni jashtë, regjistrohuni masivisht. Regjistrohuni dhe votoni sepse nuk ka skemë të PS-së që përmban dallgën e asaj vote. Rezultati tek ajo votë do të jetë e jashtëzakonshëm. Përfaqësim 100%të diasporës. Ndryshoni fatin e këtij vendi.

16:57, 26 Korrik 2024

Dashamir Shehi: Ky vendi jonë që quhet vendi i shqiponjave, kot fare se s’ka ndonjë lidhje me këtë punë. Ky është vendi i kanerinave. Kanarinat zgjidhen në kafaz, hapi dhe derën e nuk fluturojnë se në kafaz është ngroht, hanë fara dhe pinë edhe ujë. Kështu që kush e mban veten këtu për trim bën mirë të mos bëjë trimëri të kotë, por mos ta votojë këtë ligj. Ato e votojnë si të kenë qef, por turpi është i joni. I joni ka për të mbetur që votojmë një ligj me duart tona për të shpëtuar ca burokratë partie, ndoshta edhe disa interesaxhi.

16:56, 26 Korrik 2024

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Bardhi: Të votojë çdo qytetar që ndodhet jashtë Shqipërisë

Në seancën plenare që po vijon prej orësh, fokusi është tek ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nga foltorja e parlamentit, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është shprehur se puna për Reformën Zgjedhore duhet të vijojë teksa ka vënë theksin tek propozimet që grupi i PD-së ka sjellë.

Gazment Bardhi: Ku ka sistem më të pastër të përfaqësimit nga vota e qytetarëve se sa sistemi mazhoritar? Këta i cakton kryesia e partisë, apo organi më i lartë drejtues i secilës parti. Tani ne duhet të bëjmë krahasimin me sistemin që kemi sot në fuqi dhe për këtë do të duhet të na ndihmojnë numrat. Ne shkojmë drejt një formule, ku 100 deputetë renditen nga partia politike që i cakton dhe 40 të tjerë që i cakton po partia politike se edhe këta nuk vijnë nga rruga. Ky nuk është një numër rastësor.

40 deputetë të ndarë në partitë përkatëse numri i domosdoshëm për qeverisjen e vendit. Do të jemi këtu dhe do e shikojmë. Unë nuk kam parë ndodnjëherë se këta të 3 të kenë votuar ndryshe nga partia e tyre. Nëse realisht po, ky numër i deputetëve që do të vijë nga vota nuk do i bindet kryeministrit, por interesit publik dhe të qytetarëve.

Ne kemi bërë një gabim në 2008, po mund të ketë qenë gabim se kemi shkuar nga ekstremi në ekstrem. Nuk mund të ketë zgjidhjen që funksionon pa u testuar dhe që kalon nga ekstremi në ekstrem. Propozimi që kemi bërë është që çdo qytetar që ndodhet datën e zgjedhjeve jashtë Shqipërisë do të votojë atje ku ndodhet, kjo është një arritje. (Lexo më shumë)

14:34, 26 Korrik 2024

Edmond Spaho: Kush është hajdut zgjedhjesh i vjedh si me lista të hapura, si me të mbyllura. Si me gjysmë të hapura, si me gjysmë të mbyllura, si të qepura, si të shqepura, si në Shqipëri edhe në emigracion. Mos u lodhni kot , por përqendrohuni tek problemi themelor që kanë zgjedhjet në Shqipëri, votat të jenë të lira e të ndershme pastaj çfarë sistemi je, populli di ku ta hedhë e di ku ta çojë.

14:03, 26 Korrik 2024

Të dashur lexues, në këtë raportim live Tvklan.al po ju sjell zhvillimet kryesore se çfarë po ndodh në Kuvend në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pasi Damian Gjiknuri prezantoi projektligjin kanë nisur diskutimet.

13:10, 26 Korrik 2024

Me 106 vota pro, miratohet projektligji për ndryshimet në Kodin Zgjedhor (Zhvillimet minutë pas minute)

Me 106 vota pro, miratohet projektligji për ndryshimet në Kodin Zgjedhor (Zhvillimet minutë pas minute)

Seanca parlamentare vijon edhe këtë të premte ku në fokus të diskutimeve janë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Kujtojmë se mazhoranca dhe opozita janë dakordësuar në parim për draftin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.

Sipas propozimit, në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë edhe qytetarët me banim jashtë vendit.

Në draftin konsesual, palët janë dakordësuar gjithashtu që listat të jenë 1/3 e mbyllur dhe 2/3 e hapur.

Mazhoranca është tërhequr nga herësi prej 7 mijë votash, ndërsa nuk ka pranuar propozimin e opozitës për koalicione parazgjedhore.