Nën ujë toka bujqësore, shtëpi të rrethuara në Obot

Reshjet e shiut që vijuan me intensitet gjatë natës së kaluar kanë bërë që të mbetet problematike situata e përmbytjeve kryesisht në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.

Në zonën e Nën-Shkodrës numërohen rreth 1500 hektarë tokë të përmbytura. Prezencë uji ka edhe në disa shtëpi në fshatin Obot ku mund të shkohet vetëm me automjete të larta ose ato të ushtrisë.

Niveli i lumit Buna është rritur gjatë natës për shkak të prurjeve. Në Komunën e Dajçit afro 620 ha tokë ndodhet nën ujë.

Gjithsesi në asnjë prej banesave nuk ka prezencë uji. Argjinatura e Daragjatit mbetet problematike”.

Për banorët dëmet në bujqësi janë të konsiderueshme. Edhe në qarkun e Lezhës rreth 2800 hektarë tokë ndodhet nën ujë  ndërsa janë evakuuar rreth 30 familje.

Në Fushë Krujë numërohen rreth 20 banesa të rrethuara nga uji. Edhe në Dibër reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore.

Në Fier, reshjet e shiut kanë rritur nivelin e lumit Gjanica duke rrezikuar tokat bujqësore. Në Durrës ka pasur një përmirësim të situatës për shkak se hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë.

Në qarkun e Elbasanit raportohen probleme nga rrëshqitja e dherave në disa akse rrugore. Lumi Shkumbin ndodhet në nivelet maksimale dhe në disa pika rrezikon daljen nga shtrati. Në zonat rurale ka vërshime të përrenjve që kanë përmbytur rrugë dhe toka bujqësore.

Këtë të diel situata paraqitet normale në Korçë. Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se gjatë natës ka pasur reshje dëbore në qarkun e Kukësit dhe të Tropojës dhe se po punohet për mbajtjen e akseve kryesore të hapura.

Tv Klan