Të martën në mëngjes, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike jo bërthamore që kaloi mbi hapësirën ajrore të Japonisë dhe u rrëzua në Oqeanin Paqësor.

Ky veprim u dënua nga OKB, SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia. Raketa fluturoi rreth 2700 kilometra përpara se të rrëzohej. Koreja e Veriut përshëndeti publikisht lëshimin e raketës si një sukses. Këtë e bëri përmes propagandës së Agjencisë Qëndore Koreane të Lajmeve (KCNA), duke publikuar një sërë fotografish.

Një nga fotot e publikuara tregon Kim Jon Un dhe gjeneralët përreth një tavoline mbi të cilën ndodhet një hartë. Analistët amerikanë thonë se duke analizuar hartën, raketa balistike mund të ketë rënë më afër se sa destinacioni që ishte përllogaritur.

Analistët thonë se raketa ra 600 km larg distancës që ishte synuar të arrinte. Ky përfundim është arritur duke u analizuar harta mbi tavolinën e diktatorit të Koresë së Veriut. Ky detaj që nuk është vënë re nga propaganda komuniste, ka një rëndësi të madhe për amerikanët. Pas këtij veprimi të Koresë Veriore, presidenti amerikan tha se dialogu nuk është më një zgjidhje.

Ndërsa ditën e djeshme, avionë luftarakë dhe bombardues amerikanë lëshuan disa raketa pranë kufirit të Koresë së Veriut gjatë një stërvitje të përbashkët ushtarake me Korenë e Jugut.

/tvklan.al