Analisti Baton Haxhiu është shprehur gjatë emisionit “Opinion” këtë të hënë se protesta e thirrur kundër “Open Balkan” nuk ishte kundër Vuçiçit, por kundër Lulzim Bashës.

Haxhiu mendon se kjo protestë ka pasur për qëllim të tregojë forcën e Sali Berishës kundrejt Lulzim Bashës.

“Në këtë protestë lajm i mirë është që në Shqipëri ka një grupim që mendon ndryshe nga të tjerët.  Fatkeqësisht ky grupim është në një numër të vogël. Kjo protestë më shumë i ka bërë mirë Vuçiçit për arsye se ai e shet këtë në Serbi si një gjë e mirë që i ka ndodh atij. Shikojini protestuesit shqiptarë nacionalistë se sa janë kundër serbëve, se sa janë kundër tij dhe ai do ta përdorë këtë si moment për politikë të brendshme. Ajo që nuk më pëlqeu ishte që kishte shumë pak njerëz dhe për faktin se kemi një diskurs politik publik për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe Kosovë për Vuçicin, që ishte njeri i Milosheviçit etj.

Nuk është e mirë që në një protestë kundër një gjëje të rëndësishme ose kaq negative për shqiptarët të jenë kaq pak njerëz. Për faktin që sot ishte dashur të vinin shumë njerëz nga Kosova, por njerëzit kanë kuptuar që kjo protestë nuk ishte kundër Vuçiçit, por ka qenë kundër Bashës. Arsye ka qenë Vuçiç, por kjo ka qenë kundër Bashës  për të treguar se sa i fortë është Sali Berisha, sa politikisht është adhurues.  Ky moment ka vetëm një qëllim, forcën e Berishës karshi Bashës”, tha Haxhiu./tvklan.al