12 persona janë vënë në hetim nga Policia e Tiranës lidhur me protestën e së martës përpara Bashkisë së Tiranës. Mes tyre janë përfaqësues të opozitës, si Tedi Blushi apo Klevis Balliu të cilët akuzohen për “prishje të qetësisë publike” dhe “shkatërrim të pronës”.

Gjithashtu në hetim është vënë dhe aktivistja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Adriana Kalaja, pasi sipas policisë gjatë protestës ka bërë thirrje për akte të dhunshme.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, procedoi në gjendje të lirë shtetasit: D. B., 27 vjeç, R. D., 19 vjeç, A. P., 46 vjeç, K. B., 21 vjeç, S. L., 68 vjeç, S. B., 48 vjeç, G. S., 53 vjeç, B. Xh., 34 vjeç, E. K., 22 vjeç, T. B., 39 vjeç, K. B., 34 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”; A. K., 59 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, njoftoi policia.

Kujtojmë se ditën e djeshme u zhvillua protesta e radhës para Bashkisë së Tiranës. Ata kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj pas arrestimit të disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të institucionit që ai drejton. Protestuesit kanë përdorur molotov, kanë hedhur sende drejt godinës si dhe kanë shkatërruar gardhin metalik të vendosur nga policia./tvklan.al