Kreu i SPAK, Altin Dumani ka thënë se krimet me natyrë korruptive janë shumë të vështira për t’u hetuar pasi kryhen nga persona në detyrë, intelektualë. Teksa raporton në Kuvend për raportin e SPAK për vitin 2023, Dumani ka thënë se intelektualët para se të kryejnë krimin përpiqen të fshehin gjurmët apo shfrytëzojnë hapësirat ligjore me qëllim kryerjen e tij.

Altin Dumani: Si drejtues kam ofruar ndihmën time duke krijuar grup hetimor, duke shtuar numrin e hetuesve për çështjen konkrete. Gjatë 2023-shit ka pasur ecuri. Hetimi i çështjeve nuk është aq i thjeshtë sa prezantohet. Hetimi është i vështirë, sidomos kur vjen puna tek çështjet me natyrë korruptive.

Krimet e natyrës korruptive janë krimet më të vështira për t’u hetuar sepse është një krim në detyrë, një krim intelektual dhe intelektuali para se të bëjë krimin, përpiqet që të fshehë dhe gjurmët e tij apo shfrytëzon hapësirat ligjore me qëllim kryerjen e krimit. E njëjta logjikë edhe për grupet e krimit të organizuar dhe hetimi i tyre paraqet vështirësi.

Në lidhje me hetimin për inceneratorët, Dumani është shprehur se po hetohet përfshirja e çdo personi teksa ka theksuar se është çështje komplekse.

Altin Dumani: Çështja është në hetim paraprak. Kemi bërë herë pas here me dije publikun për ecurinë dhe zhvillimet e hetimit sa herë ka pasur rast për të vënë në dijeni publikun. Është në hetim paraprak dhe vijon të hetohet përfshirja e çdo personi. Është shumë kompleks si hetim.