Korçë-Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, shkatërruan pronën dhe goditën për shkak të detyrës punonjësin e policisë, procedohen penalisht 9 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, në përfundim të veprimeve të kryera, në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Bashkisë Korçë, kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve: S. M., 30 vjeçe; E. M., 21 vjeç; H. K., 23 vjeç; E. V., 21 vjeç; K. Dh., 27 vjeç; E. T., 27 vjeç; Gj. L., 22 vjeç; S. D., 41 vjeç; D. H., 38 vjeç, banues në Korçë e Maliq.

Shtetasit e lartpërmendur, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme duke hedhur sende të forta në drejtim të godinës së Bashkisë, ku për pasojë kanë thyer disa xhama, kanë shkatërruar dekoret festive, kanë djegur dy bredha dhe kanë goditur me sende të forta në kokë për shkak të detyrës, punonjësin e policisë M. J., i cili mori mjekim në Spitalin e Korçës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Lezhë-Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, shkatërruan pronën, penguan  qarkullimin e mjeteve të transportit dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë, procedohen penalisht 15 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, Bashkisë Lezhë dhe tek rrethrrotullimi në hyrje të qytetit Lezhë, kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve: K. A., M. L., S. T., E. Gj., P. M., P. M., K. K., Ll. P., E. H., P. H., S. N., A. R., K. B., A. P. dhe K. U.

Këta shtetas kanë protestuar në mënyrë të paligjshme duke hedhur sende të forta në drejtim të godinës së DVP Lezhë dhe Prokurorisë Lezhë, ku për pasojë kanë thyer disa xhama.

Gjithashtu, kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin rrugor Shkodër – Lezhë – Tiranë, për rreth një orë, si dhe kanë djegur koshat e mbeturinave në hyrje të qytetit të Lezhës. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al