“E kishim paralajmëruar, i njëjti gjyqtar “KÇK” rrëzoi edhe akuzat për Bashën”

Për Partinë Socialiste, pushimi i hetimeve për çështjen “CEZ” është një ngjarje e paralajmëruar. Kreu i grupit parlamentar të socialistëve në një postim të gjatë në rrjetet sociale thotë se gjyqtari është i njëjti që në mënyrë skandaloze rrëzoi akuzat për Lulzim Bashën për lobimin rus.

“Siç kishim paralajmëruar, i njëjti gjyqtar “KÇK” i cili në mënyrë skandaloze rrëzoi akuzat për Lulzim Bashën “675 mijë dollarë”, sot mori një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin në lidhje me dosjen “CEZ-418 milionë Euro”, ku i akuzuari kryesor është Sali Berisha në bashkëpunim me persona të tjerë”, shkruan Balla.

Ai thotë më tej se ky vendim do të ankimohet. Njëkohësisht thotë se gjetjet e Komisionit Hetimor, të cilin e drejtonte ai, do t’i dërgojë javën e ardhshme Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

“Kjo është një ndër dosjet më të rënda të korrupsionit në Shqipëri dhe se çdo përpjekje për mbylljen e saj, bie ndesh me pritshmëritë e shqiptarëve dhe të partnerëve të Shqipërisë për hetimin e dinozaurëve të korrupsionit. Në kallëzimin e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë ishin paraqitur fakte dhe prova të pakundërshtueshme se Sali Berisha në cilësinë e Kryeministrit në vitet 2005-2013 bashkë me persona të tjerë të kallëzuar prej nesh, shpeshherë edhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelja e barazisë në tendera”, “Mashtrimit”, “Ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprave penale”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 143, 245/1, 248, 258 dhe 287 të Kodit Penal”, thotë ndër të tjera Balla.

/tvklan.al