Tetë protestues janë shoqëruar nga Policia e Shtetit pas protestës së zhvilluar sot, 8 tetor, para Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas policisë, personat e shoqëruar kanë kryer veprime të dhunshme gjatë tubimit, duke shtyrë dhe goditur efektivët me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera.

Policia thotë se efektivët u kanë bërë thirrje protestuesve që të ndalonin veprimet e kundërligjshme dhe të respektonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit, por këto urdhra nuk janë zbatuar.

“Në vijim, për të neutralizuar situatën, efektivët kanë përdorur spraj individual policor. Deri në orën 17:30 janë shoqëruar 8 persona”, njofton policia.

Policia e Shtetit deklaron se vijon të monitorojë situatën dhe u ka bërë apel protestuesve që të respektojnë ligjin dhe të mos përdorin dhunë gjatë protestës.

/tvklan.al