04 nëntor 2026- Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bahskyara tw Ameriwks mund të sjellë pasoja të rëndësishme për kompanitë më të mëdha të teknologjisë.

Planet për qindra miliardë dollarë investime në qendrat e të dhënave në Teksas rrezikojnë të rishikohen, ndërsa në pikëpyetje janë edhe subvencionet dhe lehtësitë fiskale të përfituara nga gjigantët e Silicon Valley-t.

Demokratët kanë fituar pothuajse gjithçka që mund të fitonin në zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara, nga garat vendimtare për Senatin deri te disa prej garave më të papritura për postet e guvernatorëve.

Për republikanët dhe Donald Trumpin, rezultati ka qenë një humbje e gjerë politike, që mund të shtrihet edhe në marrëdhëniet me gjigantët e teknologjisë.

Big Tech, e cila gjatë viteve të fundit u afrua me presidentin republikan, tashmë përballet me një realitet të ri politik.

Shumë prej drejtuesve të saj, të cilët më parë mbështesnin demokratët, u rreshtuan përkrah Trumpit, duke e shoqëruar këtë afrim me donacione të mëdha dhe mbështetje publike.

Tim Cook, ish-drejtuesi i Apple, i dhuroi Trumpit një statujë të artë në Zyrën Ovale, ndërsa drejtues të tjerë të Silicon Valley-t u shfaqën në rezidencën e tij në Mar-a-Lago përpara inaugurimit. Kompanitë dhe miliarderët e teknologjisë kontribuuan gjithashtu me miliona dollarë për ceremoninë e inaugurimit.

Një nga figurat më të rëndësishme në këtë rreshtim ishte Elon Musk, i cili financoi fushatat e Trumpit me rreth 900 milionë dollarë dhe më pas mori role të rëndësishme në administratë.

Ndërkohë, Mark Zuckerberg ndryshoi politikat e moderimit të përmbajtjes në platformat e Meta-s, duke hequr disa prej kufizimeve ndaj shprehjeve agresive dhe raciste.

Edhe Peter Thiel, themeluesi i Palantir, arriti të vendoste njerëz të afërt me të në administratën Trump, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance.

Qendrat e të dhënave, në qendër të shqetësimeve

Megjithatë, sipas analizës, çështja kryesore nuk është vetëm afrimi politik i miliarderëve me Trumpin, por ndikimi që ndryshimi i pushtetit mund të ketë mbi investimet në inteligjencën artificiale.

Rreth 25% e kapacitetit të qendrave të të dhënave të AI-së që pritet të ndërtohen në SHBA ishte parashikuar të vendosej në Teksas.

Bëhet fjalë për investime që kapin vlerën e qindra miliardë dollarëve dhe që janë thelbësore për kompanitë më të mëdha të teknologjisë, por edhe për tregjet financiare.

Kompanitë e lidhura me inteligjencën artificiale përbëjnë të paktën 45% të kapitalizimit të indeksit S&P 500, i cili vlerësohet rreth 70 mijë miliardë dollarë.

Për këtë arsye, çdo lëkundje e aksioneve të sektorit mund të ketë pasoja për të gjithë ekonominë amerikane.

Teksasi, një nga shtetet më të rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës së AI-së, ka ofruar subvencione, lehtësi fiskale dhe mbështetje për projektet e qendrave të të dhënave.

Një pjesë e kostove të energjisë, sipas analizës, është transferuar te rrjeti lokal dhe te popullsia, ndërsa kompanitë kanë përfituar edhe nga uljet e taksave për përdorimin e tokës.

Demokratët kundër privilegjeve të Big Tech

Fitorja e demokratëve mund të ndryshojë këtë model. James Talarico, i cili sipas analizës do të bëhet senatori i parë demokrat i Teksasit që nga viti 1988, kundërshton privilegjet e mëdha të dhëna për kompanitë e inteligjencës artificiale.

Ai nuk është domosdoshmërisht kundër ndërtimit të qendrave të të dhënave, por kundërshton subvencionet dhe përfitimet e mëdha që u janë premtuar pronarëve të tyre.

Një qëndrim të ngjashëm mban edhe demokratja Gina Honojosa, e cila mundi republikanin Greg Abbott në garën për guvernator, pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme financiare që ky i fundit kishte marrë nga Silicon Valley.

Oracle dhe SpaceX në rrezik

Ndryshimi politik mund të prekë veçanërisht kompanitë më të ekspozuara ndaj projekteve në Teksas dhe më të afërta me Trumpin.

Oracle, kompania e familjes Ellison, është ndër emrat që mund të përballen me vështirësi, ndërsa CoreWeave, një nga kompanitë kryesore të ndërtimit të qendrave të të dhënave, është e lidhur ngushtë me Nvidia-n, prodhuesin gjigant të çipave.

Në pikëpyetje janë edhe planet e SpaceX në Teksas. Musk, i cili shpenzoi mbi 400 milionë dollarë për të mbështetur kandidatin republikan dhe për të penguar fitoren e demokratëve, mund të përballet me një klimë politike më pak favorizuese për projektet e tij.

Sipas analizës, lëvizja kundër përqendrimit të pushtetit ekonomik në duart e oligarkëve të Silicon Valley-t po fiton terren dhe ka mbërritur tashmë në institucionet ku merren vendimet.

Pasojat mund të shfaqen edhe në Wall Street, ku kompanitë e lidhura me inteligjencën artificiale kanë një peshë gjithnjë e më të madhe.

Për Big Tech, humbja e Trumpit mund të mos jetë thjesht një goditje politike, por edhe një sfidë e drejtpërdrejtë financiare.

/tvklan.al