Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pa ndalim

Skuadrat e kërkim-shpëtimit në Izmir janë në kërkim të të mbijetuarve nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti i së premtes. Numri i viktimave është rritur dhe deri sot në mbrëmje ka arritur në 30 persona në Turqi dhe në Greqi, ndërsa të plagosurit janë më shumë se 800 vetë.

Puna për shpëtimin e njerëzve që kanë mbetur nën rrënojat e 20 ndërtesave ka vazhduar edhe gjatë natës.

Një grua dhe tre fëmijët e saj u shpëtuan në Izmir, 18 orë pas tërmetit, ndërsa qindra pasgoditje të tjera ende ndjehen në këtë zonë. Kërkimet kanë vazhduar edhe për gjetjen e fëmijës së 4, por ndërsa orët kalojnë shpresat për të mbijetuarit janë më të pakta. Nga godinat e shembura janë shpëtuar më shumë se 100 vetë, por numri i atyre që janë të bllokuar mendohet të jetë më shumë se 180 vetë.

Në të gjithë Izmirin janë ngritur tenda për të strehuar rreth 2 mijë banorë, pasi lëkundjet vazhdojnë ende dhe shumë godina të tjera mund të shemben. Sipas Agjencisë Turke të Lajmeve, në terren janë rreth 4 mijë punonjës të kërkim-shpëtimit, 475 mjete dhe 20 qen të angazhuar në kërkime. Puna e tyre gjithsesi është vështirësuar për shkak të 400 pasgoditjeve të tërmetit, 33 prej të cilave kanë qenë me magnitudë më të madhe se 4.

Turqia është ende e shokuar nga tërmeti i fortë ndërsa popullsia është nën panik, përderisa në të gjitha mediat vazhdon raportimi orë pas ore nga operacionet e kërkim-shpëtimit. Të shumtë janë ata që pyesin se kur do të ndodhë tërmeti i radhës.

Tv Klan