Presidentja dhe kryeparlamentari grek janë të një mendje kur i deklarojnë Kryeministrit Rama në dy takimet e zhvilluara me ta në Athinë, se minoritetet në dy anët e kufirit janë urat që forcojnë lidhjen mes dy shteteve.

Në deklaratat e shkurtra që Kryetari i parlamentit grek, Konstantinos Tasoulas dhe kryeministri Rama bënë përpara takimit u fol dhe për mbështetjen që qeveria greke i jep integrimit të Shqipërisë në BE. E në 40 vite që është pjesë e familjes europiane, Tasoulas flet dhe për përfitimet që sjell të qenit anëtare.

“Me të drejtë vendi juaj synon ecjen drejt integrimit evropian, me të drejtë vendi ynë mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Me të drejtë të dyja vendet tona, duke pasur ura lidhëse minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar në Greqi, po ecin përpara”.

Në takimin me presidenten nuk pati asnjë deklaratë, por mësohet se Rama është shprehur optimist për zgjidhjen e çështjes së detit në Gjykatën e Hagës siç palët janë dakordësuar për t’ju drejtuar së bashku.

“Jam shumë optimist se pikërisht në këtë klimë do të zgjidhim më së miri të gjitha çështjet e lëna pezull mes dy vendeve. Edhe dakortësia për t’ju drejtuar një pale të tretë për zgjidhjen e detit tregon se jemi në rrugën e duhur për t’i dhënë zgjidhje problemeve”.

Por takimeve të sotme u parapriu një ditë më parë çelja e ekspozitës së tij personale në Athinë. Siç pohon, kjo ishte hera e parë që e kombinon një vizite pune me ekspozimin e veprave të tij, që u bë pallatin Zapion Megaron në Athinë, sallë që për Ministrin e Jashtëm grek, Niko Dendias, që ishte i pranishëm, ka një simbolikë të veçantë.

“Zgjedhja e Zapion Megaron për ekspozitën mbart një simbolikë shumë të fortë dhe e qartë. Ky është pikërisht vendi ku në vitin 1979 u nënshkrua Traktati i Anëtarësimit në atë që ishte Komuniteti Ekonomik Europian asokohe.  Kështu, ky është pasqyrim i mënyrës si e shohim Shqipërinë, një fqinjë, një mike të afërt dhe, më lejoni ta them, shpresoj, së shpejti, si pjesë e familjes sonë të përbashkët europiane”.

Rama në këtë rrëfim prej artisti-politikan nuk i kursen falenderimet për kryediplomatin Dendias dhe përsërit batutën e tij të preferuar për piktorin e vetëm kryeministër mes drejtuesve aktualë të shteteve në glob.

“Unë jam artisti më i mirë ndër kryeministra dhe padyshim kryeministri më i mirë ndër artistë. kur vizatoj në zyrën time, vëmendja nuk është tek ajo çfarë bëj me duar, por i lë sytë të lëvizin bashkë me duart, ndërsa mendja është plotësisht e përqendruar te çështja që diskutohet me bashkëpunëtorët e mi ose te bashkëbisedimet telefonike ose teksa peshoj vendimet që duhen marrë kur jam vetëm”.

Për të parë ekspozitën nuk mungoi as kryeministri Mitsotakis që pa mes punimeve të homologut të tij dhe piktura të bëra në letra zyrtare ku ishte dhe emri i tij.

Tv Klan