Kryeministri citon deklaratat e aktorëve pro teatrit të ri

Rudina Hajdari, që e kishte thirrur Kryeministrin në interpelancë për shembjen e Teatrit Kombëtar, e akuzoi se në 21 vite si qëllim të vetëm ka patur zaptimin e truallit të atij institucioni për të ngritur më pas kulla shumëkatëshe.

Sot ju e dini që e kanë kuptuar shqiptarët që keni 7 vite si kryeministër, por më tepër kemi një botë të po e kupton fytyrën tënde të vërtetë për të shembur godinën. Dua t’ju kujtoj se keni pasur obsesion me këtë teatër, por jo vetëm me teatrin, me truallin. Ju doni truallin në mes Tiranës, prandaj e shembët. Ju duhet sepse doni të ndërtoni kulla”.

Por Kryeministri, në vend të qëndrimeve, zgjodhi t’i përgjigjej me fjalët e atyre artistëve që ndër vite kanë qenë pro ndërtimit të një teatri të ri.

Kur e nisën protestën për teatrin, as ju dhe as ata të tjerët që tani janë kthyer në bij të lënduar të Shekspirit, jo vetëm nuk ishit aty por dhe ju ishte thënë që të mos guxonit të dukeshit aty.

Robert Ndrenika ka këtë përgjigje për ju: Ju lutem mos më kryqëzoni, kam qenë prej vitesh dhe jam për një teatër të ri dhe bashkëkohor të cilën ka për detyrë ta bëjë shteti shqiptar.

Më pas Arben Derhemi: Grupi i artistëve vendosën se duhet të ishin pjesë e negociatave me kryetarin e Bashkisë. Ne shtruam dy probleme shumë të rëndësishme, të mos preket trualli i Teatrit Kombëtar dhe të shpallet një konkurs.

Bujar Asqeriu: Unë jam për paqen sociale, nuk e mbështes më protestën tani, s’ka më sens. Jam për paqe sociale dhe s’më përdor dot as PD, as PS. Dua një teatër të ri.

Reshat Arbana: Nëse një pjesë e mirë e territorit qenka e Bashkisë, le t’ja lërë teatrit.

Luftara Paja: Që të kemi këtë teatër ne si artistë harrojmë gjërat kryesore, merremi me llaç e tulla.

Altin Basha: Kemi negociuar, ramë dakord që të mos cënohej trualli. Unë mendoj se duhet një godinë e re.

Enver Petrovci: Për mua është një budallallëk mos të ndërtohet një teatër i ri. Jam kundër që toka t’i falet dikujt. Ai teatër që ekziston nuk ka kurrfarë vlere”.

Kjo zgjedhje e Ramës u duk e kushtëzuar nga minutazhi i vendosur në dispozicion nga kryeparlamentari Ruçi. Para nisjes së seancës i ishte bërë e qartë që kishte 20 minuta kohë në dispozicion. I njohur për fjalimet e gjata, mesa duket kohë kjo e pamjaftueshme për të, u bë e qartë kur nga teknika e Kuvendit iu ndërpre audio.

Të njëjtin shqetësim për kohën në dispozicion e kishte dhe deputeti i opozitës Kostaq Papa, me të cilin “u solidarizua”dhe Kryeministri.

“Jemi një grusht xhentellmenësh intelektualë që duam më shumë liri fjale, se jemi këtu me qëllime pozitive”.

Tv Klan