Në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit, Edi Rama i dedikoi disa rreshta Ismail Kadaresë, jo vetëm si kryeministër, por si një person që me të e lidhnin bisedat e shpeshta. Fjalimin e nisi me një rastësi kuptimplotë, që sipas tij, e përcjell denjësisht Kadarene

Edi Rama: Këtë hije të Nënë Terezës mbi trupin e Ismailit nuk e solli kush e përgatiti këtë ceremoni shtetërore. Ishte këtu kishte ardhur më parë, njoftimi që salla ishte e zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty, më erdhi bashkë me foton e kësaj skene e cila po montohej për një shfaqje. Lëreni aty u thashë. Nuk ka më mirë. Askujt nuk do ti shkonte në mëndje çka rastësia solli këtu, enkas për Ismailin, dhe më mirë sesa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës, asesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës.

Kryeministri Rama, u dha një përgjigje polemikave që vijuan pas vdekjes së Kadarese, për vendin se ku do të prehej.

Edi Rama: I lexoja dhe më kujtohej Ismaili, përpiqesha të merrja me mend si do t’i merrte ai ato propozime të pakërkuara për ta varrosur te ‘Vëllezërit Frashëri’ te parku përballë ‘Rogner’, te fusha e gjelbërt mbrapa Kryeministrisë, te varrezat e Dëshmorëve të Luftës Nacional- Çlirmitare. Po t’ia kisha treguar vigjiljen time të këtij ceremomiali dje në darkë, atje në Durrës te shtëpia buzë detit, ku u mbyll për të ndjekur perëndimin e diellit të vet si një spektator i zbritur nga jeta e gjatë në zenif, do të argëtohej shumë.

Teksa nderoi figurën e tij, Edi Rama shprehu të gjitha vlerësimet për gjithçka që i dha Shqipërisë dhe letërsisë shqipe.

Edi Rama: Kadare jetoi si dëshmitar i një fjale për të cilën mori të tërë lëvdatat dhe nderimet e mundshme të botës dhe të tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Nuk e mori çmimin Nobel, por mbeti i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime nga bashkatdhetarët e tij. Ai erdhi, shkroi dhe iku.

Në këtë ceremoni, Edi Rama u shoqërua nga bashkëshortja e tij Linda Rama. Në shenjë nderimi, ata u përkulën para arkëmortit ku prehej trupi i pajetë i shkrimitarit ndërsa la dhe një shënim në librin e kujtimeve.

Klan News