Një shqiptar i Kosovës, i cili dyshohet si kreu i rrjetit financiar të Mossad në Turqi është arrestuar nga policia turke. Ishte Departamenti i Antiterrorit në Policinë e Stambollit që vuri në pranga Liridon Rexhepin. Ai u ndalua fillimisht më 30 Gusht, por masa e arrestit iu komunikua këtë të martë.

Sipas mediave turke, për Rexhepin, është provuar se ka kryer filmime me dron dhe aktiviteti operative kundër politikanëve palestinezë që jetojnë në Turqi me urdhër të Shërbimit Izraelit të Inteligjencës.

Rexhepi mësohet se ka hyrë në Turqi më 25 Gusht, ditë nga e cila është mbajtur nën vëzhgim. Gjatë një jave, sipas policisë turke që i referohen mediat, Rexhepi ka kryer transferta të shumta parash për agjentët e Mossad-it në Turqi. Si rezultat i operacioneve të kryera nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës, u konstatua se Mossad ofronte transferta parash për agjentët e saj në terren në Turqi, kryesisht nga vendet e Evropës Lindore, përfshirë edhe Kosovën.

Paratë transferoheshin nëpërmjet kompanive të shërbimeve financiare, por pagesa bëheshin edhe me kriptomonedha.

Kur është pyetur nga policia Rexhepi pranoi se ka transferuar paratë.

Klan News