Një ditë pas pritjes në Uashington nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët që e kanë shoqëruar delegacionin shqiptar gjatë vizitës në SHBA.

I pyetur nga gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, se cilat janë përfitimet konkrete që do të ketë Shqipëria nga bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara, Rama theksoi se ky bashkëpunim ecën në dy korsi.

“Me Shtetet e Bashkuara kemi dy korsi bashkëpunimi. Njëra korsi është korsia e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ka pasur gjëra të reja në vijimësi. Jemi duke bashkëpunuar dhe folur për ngritjen e Akademisë Rajonale të Mbrojtjes në Tiranë mbi bazën e Akademisë sonë Ushtarake, dhe ndërkohë Defender 21 ka qenë një histori suksesi”.

Ndërsa korsia e dytë e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri është fusha ekonomike.

“Korsia tjetër është korsia e bashkëpunimit ekonomik. Këto që kemi në proces janë ato dallëndyshet e para. Kemi folur me Sekretarin për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik edhe ka interes të shkuar nga ana e palës amerikane për të rritur prezencën në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Sa i përket zhvillimeve politike në vendin tonë, i pyetur nga gazetarja se çfarë do të ndodhë me Presidentin Ilir Meta nëse do të shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese, Kryeministri Rama u shpreh: “Duke qenë se Ilir Meta është në gjykim nga Gjykata Kushtetuese nuk do doja të hyja në këtë grackë që ma ngrite me shumë buzëqeshje sepse mendoj që është koha që t’i lihet Gjykatës Kushtetuese fjala dhe mundësia që të vendosë në vend nderin e nëpërkëmbur të Kushtetutës”.

Rama: Në Qershor do të rikthehemi në SHBA kur Shqipëria do të ketë presidencën e Këshillit të Sigurimit

Nga Washingtoni, Kryeministri Edi Rama ka realizuar një bashkëbisedim me gazetarët ku dhe ka treguar më shumë detaje përsa i përket pranisë së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Pyetja: Prania e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit është një ndër arritjet më të mëdha që ka pasur vendi ynë në të gjithë historinë e tij. Gjatë muajit Qershor ne do të kthehemi për presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit. Cilat janë masat konkrete që do të marrë Shqipëria gjatë muajit Qershor?  

Edi Rama: Deri në Qershor ka kohë sepse puna e Këshillit të Sigurimit është një punë intensive dhe çdo ditë sjell gjëra të reja. Ne do të rikthehemi në Qershor në New York për një tjetër moment historik, ku Shqipëria do të ketë presidencën e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria në Këshillin e Sigurimit është diçka që askush nuk kishte kurajo ta imagjinonte as në ëndrrën e vet më të guximshme. Sot Shqipëria është në Këshillin e Sigurimit. Në jemi një vend i vogël, por kemi arritur t’i japim vendit tonë një respekt që nuk e ka pasur më herët. Jam krenar se ne sillemi si të barabartë dhe trajtohemi si të barabartë./

Rama: Shpallja e Berishës “non grata” është meritë e tij

Nga Washingtoni, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të ndikimit të faktorëve të jashtëm për shpalljen non-grata të Sali Berishës nga SHBA.

/tvklan.al