Në podcastin e sotëm, 30 nëntor, kryeministri Edi Rama foli sërish për shkarkimin nga detyra të Belinda Ballukut, duke e cilësuar një vendim krejtësisht antidemokratik.

Duke theksuar që në krye të herës se pret me durim “që Gjykata Kushtetuese t’i japë drejtim çështjes, që sipas tij është rrugë e pashkelur në gjithë botën”, citoi se çfarë thotë Komisioni i Venecias dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut për këtë rast.

“Qëndrimi i Venecias është shumë i prerë: Gjykatat nuk duhet të pezullojnë anëtarët e qeverisë, sepse duke bërë këtë, së pari cenojnë balancën e pushteteve. Për sa kohë një ministër është figurë politike, pjesë e ekzekutivit, përgjegjës para Parlamentit e kryeministrit, nëse Gjykata e pezullon ndërhyn në qeveri, merr kompetenca që i takojnë Kryeministrit dhe Presidentit, dhe kjo konsiderohet shkelje e palejueshme e ndarjes së pushteteve”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

“Duke e bërë këtë, gjykatat krijojnë mundësinë e instrumentalizimit të drejtësisë dhe Venecia paralajmëron shpesh kundër judicial overreach, shtrirjes së krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me politikën sepse kjo për pasojë i hap rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional, manipulimit të ekzekutivit përmes proceseve penale”, deklaroi numri një i kabinetit.

Duke qenë se ministri ka funksion politik dhe jo administrativ, Rama citoi Komisionin e Venecias, duke u shprehur se masat e pezullimit janë për “nëpunësit, jo anëtarët e qeverisë”.

Vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion e cilësoi de facto presion.

“Nuk pezullohet vetëm një individ. Kur pezullohet një ministër paralizohet gjithë vendimmarrja për një apo disa sektorë që mund të mbulojë”, argumentoi Rama.

“Gjykata Europiane nuk është ndeshur kurrë me këtë absurd, prandaj nuk ka dhënë asnjë vendim specifik”, tha ai, teksa shtoi “se në asnjë shtet europian nuk ka ndodhur ndonjëherë që të pezullohet një ministër në këtë formë”.

“Kjo është një tentativë e padëgjuar, një eksperiment i paparë, një ide e pazhvilluar asnjëherë më parë dhe një rrugë e paimagjinuar askund tjetër se mund të shkelet nga gjyqësori. Por ama ka disa parime që e ndalojnë parimësisht këtë aventurë antidemokratike. Së pari, gjykata thotë se masat e sigurisë nuk mund të përdoren për qëllime politike, jashtë proporcionalitetit dhe për të ndikuar ekzekutivin. Pezullimi i ministrit është minimalisht jo profesional”.

“Strasburgu ka shkruar se, çdo masë që ndërpret apo cenon funksionimin e institucioneve të zgjedhura, duhet të justifikohet me standardin më të lartë demokratik”, nënvizoi kryeministri i vendit.

Si përfundim, kryeministri tha se sipas standardeve europiane gjyqësori nuk mund të pezullojë ministra.

“Është antikushtetuese në përmbajtje, nënshtrim i ekzekutivit, kundër ndarjes së pushteteve, kundër standardeve të Venecias dhe kundër jurisprudencës së Gjykatës Europiane”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Balluku u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me tunelin e Llogarasë, ndërsa më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe.

Më 22 nëntor, GJKKO verifikoi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për Ballukun, ndërsa më 2 dhjetor, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet për të shqyrtuar padinë e bërë nga kryeministri Rama dhe Këshilli i Ministrave për konfliktin e kompetencave mes ekzekutivit dhe Gjykatës së Posaçme për vendimin ndaj saj.

Edhe më herët, Rama e ka quajtur “vendimin plotësisht arbitrar dhe që cenon pavarësinë e ekzekutivit”. Ai ka ndarë edhe një postim në rrjetet sociale lidhur me këtë, fjalimin historik të prokurorit amerikan Robert H. Xhekson, ku citonte fjalët se “drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet”.