Real Madridi përgatitet të thyejë rekordin e shpenzimeve në historinë e klubit. Për sezonin 2026/27, gjiganti spanjoll ka parashikuar një buxhet prej 707 milionë eurosh për pagat e futbollistëve dhe kostot e transferimeve, duke iu afruar niveleve financiare të klubeve si Paris Saint-Germain.

Investimi rekord vjen në një kohë kur klubi i drejtuar nga Florentino Pérez pret të rrisë ndjeshëm të ardhurat.

Sipas projeksioneve financiare, Real Madridi synon të arkëtojë 1.405 miliardë euro, ndërsa parashikon ta mbyllë sezonin me një fitim prej 14.2 milionë eurosh.

Megjithatë, fitimi i pritshëm është më i ulët krahasuar me sezonin 2025/26, kur parashikohet të arrijë në 26.3 milionë euro.

Shpenzimet prej 707 milionë eurosh përfaqësojnë rreth 57% të xhiros dhe 50% të të ardhurave totale të klubit.

Këto nivele konsiderohen brenda kufijve të përcaktuar nga UEFA, por raporti do të rritej në rreth 60% nëse përjashtohen të ardhurat nga shitja e vendeve VIP në stadium.

Një nga burimet kryesore të të ardhurave do të jetë Santiago Bernabéu. Pas përfundimit të rikonstruksionit në vitin 2024, stadiumi është kthyer në një aset të rëndësishëm financiar për madrilenët.

Vetëm aktivitetet e lidhura me impiantin pritet të gjenerojnë 420.1 milionë euro.

Në këtë shumë përfshihen shitja e biletave, abonimet sezonale, muzeu, vendet VIP, koncertet dhe aktivitetet e tjera sportive, përfshirë ndeshjet e futbollit amerikan.

Edhe të drejtat televizive do të japin kontributin e tyre në rritjen e të ardhurave. Ky sektor parashikohet të sjellë 175.1 milionë euro, me një rritje prej 4% krahasuar me sezonin e kaluar.

Një zhvillim pozitiv pritet edhe për skuadrën e basketbollit, e cila falë marrëveshjes së re televizive të Euroligës synon të më shumë se dyfishojë të ardhurat nga ky segment.

Ndërkohë, marketingu mbetet një tjetër shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së klubit. Të ardhurat nga ky sektor parashikohen në 534.6 milionë euro, pavarësisht një rënieje të lehtë prej 1%.

Me këtë strategji financiare, Real Madridi synon të ruajë fuqinë e tij në tregun e transferimeve dhe të vazhdojë investimet në skuadër, duke shfrytëzuar njëkohësisht potencialin komercial të Santiago Bernabéut.

Klan News


/tvklan.al