Covid-19 aktualisht e ka çuar në mbi 27 milionë numrin e të infektuarve në të gjithë botën. Shifrat tregojnë se pandemia po ecën me ritme më të shpejta sesa në periudhën Mars – Prill ku ajo shpërtheu.

Aktualisht dy vatrat më të nxehta janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe India. India tanimë është renditur në vend të dytë për nga numri i të infektuarëve duke ja kaluar Brazilit.

Në vetëm 24 orët e fundit ky shtet ka regjistruar më shumë se 90 mijë raste në ditë, një shifër kjo rekord e cila nuk ishte parë as 3 muaj më parë. Që kur pandemia u përhap, në Indi kanë humbur jetën mbi 71 mijë njerëz.

Qeveria indiane ka vendosur sërish karantinën për disa qytete të Indisë të cilat janë konsideruar si pikat më të nxehta si dhe i ka bërë thirrje grupmoshave më të rrezikuara që të mos dalin nga shtëpia.

Më shumë se 60% e rasteve aktive me koronavirus në Indi vijnë nga shtetet Andhra Pradesh, Tamil Nadu, Karnataka dhe Utar Pradesh, që është shteti më i populluar në këtë vend.

Vendi i tretë më i prekur nga koronavirusi është Brazili ku janë shënuar mbi 4 milionë, ndërsa ai i jetëve të humbura 126 mijë. Por pavarësisht situatës së vështirë të pandemisë, moti i mirë nuk i ka ndalur brazilianët që të frekuentojnë plazhet e njohura si Kopagabana, Rio De Janeiro.

Ekspertët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se më shumë se 410 mijë amerikanë mund të vdesin nga COVID-19 deri më 1 Janar të vitit 2021. Shkencëtarët nga Instituti Kërkimor për Vlerësimin e Shëndetit shprehen se maskat dhe ruajta e distancimit fizik mbeten dy gjërat më thelbësore për t’u ruajtur nga Covid-19.

Një javë më parë organizata Amnesty International deklaroi se 1320 punonjës të shëndetësisë në Meksikë kanë vdekur si pasojë e koronavirusit, shifrat më të larta se çdo vend tjetër i botës.

Klan Plus