Pas një periudhe të gjatë, qeveria ka vendosur që kinematë të rihapen për publikun. Urdhri për hapjen e tyre është botuar këtë të mërkurë në Fletoren Zyrtare. Në të përcaktohet se “aktiviteti i kinemave të ofrohet në përputhje me protokollet e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik për  parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19″

“Në mbështetje të nenit 102, pika  4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 7, pika 4, të ligjit nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të udhëzimeve të  Institutit të Shëndetit Publik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-19, nenit 113, të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative  i  Republikës së Shqipërisë”, si dhe vendimit të Komitetit Teknik nr.4540, datë 9.10.2020, Urdhëroj:

Në urdhrin nr. 351, datë 29.5.2020 “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, të ndryshuar, bëhet ndryshimi si më poshtë vijon: 1. Në pikën 3, germa “b”, termi “kinematë”, shfuqizohet. 2. Aktiviteti i kinemave të ofrohet në përputhje me protokollet e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. MINISTËR I SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, Ogerta Manastirliu”, thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Po këtë të mërkurë, në Fletoren Zyrtare u botua edhe urdhri për maskat, që duke nisur nga dita e nesërme do të jetë e detyrueshme për t’u përdorur në çdo ambient.

“Në  mbështetje  të  nenit  101  të  Kushtetutës, me  propozimin  e  ministrit  të  Shëndetësisë  dhe Mbrojtjes  Sociale  dhe  të ministrit  të  Brendshëm, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Neni 1 Pika 23, e nenit 3, të aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020,    të    Këshillit    të    Ministrave,    të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon: “23. Barriera   mbrojtëse   (maska)   është   e detyrueshme  të  përdoret  jashtë  shtëpisë nga  çdo individ.  Individët,  të  cilët përjashtohen  nga  ky rregull, përcaktohen  në  udhëzimin  e  Institutit  të Shëndetit Publik.

Instituti  i  Shëndetit  Publik  nxjerr  udhëzimin përkatës  për  mënyrën  e  përdorimit  të  barrierës mbrojtëse (maskës) jashtë shtëpisë. Mospërdorimi  i  barrierës mbrojtëse  (maskës) nga individët jashtë shtëpisë dënohet me gjobë në masën   3   000   (tre   mijë)   lekë dhe, në   rast përsëritjeje,  në masën  5  000  (pesë  mijë)  lekë.  Të drejtën  e  dhënies  së  masës  administrative  për mospërdorimin  e  barrierës  mbrojtëse  (maskës)  e ka Policia  e  Shtetit  dhe  Policia  Bashkiake, sipas modelit të gjobës të miratuar prej tyre. Ekzekutimi i  masës  administrative  do  të  kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike,duke u bërë pjesë e faturave të energjisë elektrike. Mënyra e   ekzekutimit   të masës administrative nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike  përcaktohet  me  udhëzim  të  përbashkët të ministrit   përgjegjës   për   energjinë,   ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.”.Neni 2 Hyrja në fuqi. Ky  akt  normativ  hyn  në  fuqi  menjëherë  dhe i fillon efektet në datën 15.10.2020″./tvklan.al