Krasniqi: Çrregullimi informativ stimulon dizinformimin

Ballkani Perëndimor është i ekspozuar ndaj sulmeve malinje të dizinformimit nga influencat e huaja.

Kështu deklaroi Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Margaritis Skinas në konferencën e zhvilluar së fundmi në Selanik të Greqisë të titulluar “Roli i lajmeve në realitetin e ri ballkanik”.

“Manipulimi dhe keqinformimi i debatit publik nga influenca malinje të huaja nuk ka qenë kurrë më i pranishëm në Ballkanin Perëndimor se sa sot. Në luftën ndaj këtij fenomeni shoqëria civile dhe media kanë rol kyç”.

Ai pohoi se BE është pranë Ballkanit dhe kjo e dëshmoi dhe samiti i fundit të 27 liderëve të Unionit në Tiranë, i mbajtur për herë të parë jashtë Brukselit.

Gjatë diskutimeve në panel, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi u shpreh se Ballkani Perëndimor duhet të përfitojë nga aktet e BE-së në mbrojtje të lirisë së medias, si instrumente shumë të vlefshëm, për të cilat nuk ka pse të pritet për implementimin e tyre deri kur të anëtarësohemi në familjen europiane.

“Jemi dëshmitarë se paralel me vërshimin informativ ecën dhe çrregullimi informativ, që stimulon dezinformimin dhe propagandën, duke i paketuar ato si produkte mediatike për publikun”.

Ajo nënvizoi se Inteligjenca Artificiale duhet përdorur si hov për zhvillimin e lirive dhe jo në dëm të tyre.

Zëvëndësministri i Maqedonisë dhe Thrakisë, Stavros Kalafatis duke u ndalur tek rëndësia e lajmeve, bëri apel për një front të bashkuar kundër dezinformimit.  

Tv Klan