Boom-i i turizmit ka sjellë rekord fitimesh në qiratë ditore, por a është e drejtë që një apartament në bregdet, që punon vetëm 60 ditë në verë, të taksohet njësoj si ai në Tiranë që punon 12 muaj?

Ndërsa listimet e reja në kryeqytet janë rritur me 10.3%, ekspertët shprehen pro formalizimit por kërkojnë një skeme të diferencuar të tatimit.

“Nuk jemi kundër formalizimit; përkundrazi, fakti që regjistrimet janë katërfishuar tregon se tregu po vetëdijesohet dhe ekonomia përfiton të ardhura të reja. Problemi nuk është te taksa në parim, por te mungesa e diferencimit. Zonat si Palasa apo Dhërmiu e kanë turizmin rreptësisht sezonal. Nëse një pronar atje detyrohet të paguajë taksa si në qytetet që fitojnë gjithë vitin, rrezikojmë të shtyjmë biznesin e vogël drejt informalitetit ose rritjes artificiale të çmimeve”, tha konsulenti i tregut imobiliar Orgest Beti.

Nëse kjo nuk merret parasysh, atëherë ekspertët parashikojnë goditje të konkurrencës dhe ndëshkim të subjekteve sezonale.

“Nëse nuk aplikojmë një taksim të bazuar në muajt realë të funksionimit të pronës, vëmë në rrezik konkurrueshmërinë e vetë bregdetit tonë. Një skemë e drejtë fiskale nuk duhet të ndëshkojë sezonalitetin, por duhet të nxisë deklarimin përmes lehtësive për zonat që mbijetojnë vetëm pak muaj në vit”, tha konsulenti Orgest Beti.

Paralelisht, Tatimet kanë nisur kontrollet për 100 tatimpaguesit e parë në Booking, me 24.9 milionë euro të ardhura, ndërsa me Paketën e Re Fiskale 2027 pritet vendosja e kodit unik në e-Albania, rritja e TVSH-së nga 6 në 10% dhe ulje të pragut të regjistrimit në 5 milionë lekë.

/tvklan.al