1200 vrojtues të angazhuar në sigurinë e plazheve

Pasi ka ngritur flamurin jeshil, ky vrojtues plazhi po kontrollon hapësirën ujore ku po lahen pushuesit në këtë zonë të plazhit të Golemit. Flamur jeshil është sinjali se deti është i qetë dhe pa dallgë. Ismail Haga është mësues fiskulture, por bën edhe detyrën e vrojtuesit gjatë sezonit turistik prej 4 vjetësh. Ai është i trajnuar për të ndërhyrë në situata ku pushuesit rrezikohen.

“Unë kam 4 parcela, kam 1 vrojtues plazhi jam edhe vetë. Afro 40 metra stacion plazhi, dy vrojtues plazhi dhe që janë të ndarë, njëri jep udhëzime, ndërsa tjetri rri tek kulla e vrojtimit.”

Sinjalizimet me anë të flamujve, ku i kuqi ndalon futjen në det dhe i verdhi kërkon marrjen e masave shtesë, shpesh nuk mjaftojnë.

“Shumica e pushuesve abuzojnë në det. Edhe pse ne u themi që ka dallgë, ata abuzojnë. Ata që vijnë nga jashtë shtetit abuzojnë më shumë sepse duan ti shfrytëzojnë gjithmonë.”

Edhe mësuesi tjetër i fiskulturës, Festim Sula ka vendosur t’i përkushtohet sigurisë së pushuesve. Prej 6 vitesh, gjatë tre muajve të verës, ai udhëton nga Lushnja për në Spille për të punuar si vrojtues plazhi.

“Unë mbuloj 80 m vijë lineare bregdet. Adriatiku është i rrezikshëm kur ka dallgë, prandaj ne vendosim sinjalistikën kur duhet të lahen pushuesit.”

Kontrolli i pushuesve në det nuk është angazhimi i tij i vetëm.

“Unë mbuloj 80 m vijë lineare bregdet. Sot jemi marrë me gjetjen e dy fëmijëve pasi u kishin humbur prindërve të tyre.”

Gjatë vitit që shkoi Sula shpëtoi 6 persona që rrezikuan të mbyteshin. Më të rrezikuarit janë të moshuarit e fëmijët, thotë një tjetër vrojtues në plazhin e Durrësit.

“Më të rrezikuarit nga deti janë mosha  e tretë të cilët nga temperaturat e larta të diellit dhe temperaturat e ulëta të detit. Është një kontrast shumë i dëmshëm për trupin. Një kategori tjetër janë fëmijët të cilët prindërit duhet të kenë shumë kujdes për fëmijët e tyre pasi dallgët për fëmijët mund të jenë goxha rrezik. Rreziqet kryesore janë më tepër dallgët që kur ka edhe erë janë më të rrezikshme për pushuesit.”

Shqipëria ka rreth 1200 vrojtues plazhi të licensuar të cilët kujdesen për pushuesit në të gjithë vijën bregdetare. Vetëm në Durrës operojnë rreth 200 të tillë, ndërsa pjesa tjetër në plazhet nga Velipoja deri në Ksamil.

Tv Klan