Një udhëtim drejt Indisë gjatë kësaj periudhe mund të mos jetë një ide fort e mirë, sidomos për ata që kanë frikë nga gjarpërinjtë. Me qindra zvarranikë nxirren në paradë nga banorët e thuajse çdo qyteze, pasi besimtarët Hindu bëhen bashkë për të festuar Nag Panchami, festivalin e gjarpërinjve.

Kjo festë e lashtë mbahet në Korrik ose Gusht. Turma të mëdha njerëzish ecin rrugëve të qyteteve indiane duke mbajtur në duar gjarpërinj, ndërsa këndojnë e brohorasin.

Parapërgatitjet përfshijnë gjuetinë e gjarpërinjve në ujë apo në vrimat e tyre dhe më pas mbahen nëpër enë të mbyllura, derisa nis festivali. Kur kjo ndodh, zvarranikëve u ofrohet qumësht, ëmbësira dhe lule.

I gjithë rituali përmbyllet në një tempull ku “trimat” që mbajnë në duar gjarpërinjtë “marrin bekimin” nga zotat gjarpër. Hindutë besojnë se këto rituale i bekojnë ata duke larguar karmën e keqe dhe fatkeqësitë./tvklan.al