A keni edhe ju një moto në jetë? Ja cila është e të ftuarve


Motoja e jetës/ Objektet e të ftuarve dhe historitë pas


Fotot personale/ Motoja e jetës që më ka shoqëruar në momente të ndryshme

Ëndrra për ta bërë djalin ushtar u kthye në realitet, Çobani: Një arritje e jashtëzakonshme për mua

E ftuar këtë të shtunë, në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë Anila Çobani, e cila është shprehur se një ndër ëndrrat e saj ka qenë që të shihte një nga fëmijët ushtarak. Dhe kështu, ajo filloi të “ndikonte” tek djali i saj i vogël, duke i treguar këtij të fundit kujtime dhe foto nga gjyshi i tij.  

Këtë ëndërr, djali ia ktheu në realitet, pasi ai tani është në prag të marrjes së gradës. Kjo arritje për Çobanin ishte e jashtëzakonshme.

Anila Çobani: Unë nuk do ta quaja moment të vështirë, por ishte një dëshirë e imja ose një ëndërr e imja, që një nga fëmijët ta bëja ushtarak, meqenëse babai im ka qenë një ushtarak i suksesshëm. Por duke ditur ëndrrat dhe aspiratat e të rinjve sot, jo kushdo e pranon profesionin e ushtarakut. Dhe, çdo ditë mundohesha nëpërmjet fotove, nëpërmjet kujtimeve të tim eti, të ndikoja tek djali im i vogël që ta pranonte si një nga mundësitë për të studiuar. Nuk kishte lidhje fare me… madje është shumë artist nga natyra, është me shumë botë në prirje të tjera, të artit, e të tjerë. Erdhi një moment kur filluan aplikimet dhe pashë që një nga zgjedhjet e djalit, Kevinit, ishte Akademia Ushtarake. Kuptohet që nuk janë kushtet e atyre viteve, flitet për një akademi moderne, me këto lëndët e përzgjedhura që kanë të bëjnë me NATO-n , me ushtrinë moderne, me diplomacinë ushtarake edhe gjëra të tjera. Me thënë të drejtën m’u bë qejfi dhe po e prisja me… sepse aty ka një klauzolë që duhet të japësh disa provime, të testohesh në fizikë, inteligjencë dhe në disa fusha të tjera. Dhe Kevi arriti t’i kalonte me sukses dhe kjo ishte një motiv…

Rudina Magjistari: Për ty si nënë, si ishte ky moment?

Anila Çobani: Një arritje e jashtëzakonshme për mua dhe sot ai është në prag të marrjes së gradës. Është bëtë një ushtarak king, i them unë, si gjyshi i vet. 

Jeta desh “i rrëmbeu” babain nga duart, rrëfimi i moderatorit: Pas atij momenti…

Moderatori Bledi Strakosha, ka qenë këtë të shtunë i ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, ku ka ndarë me publikun një foto, pas së cilës qëndron një histori shumë e bukur, por edhe emocionale.

Fotoja është shkrepur pas një momenti të vështirë që ka kaluar babai i tij. Sipas moderatorit, ky ishte një çast shumë i paqartë, pasi ata nuk e dinin nëse i ati do të ishte sërish mes tyre. Sot, ky i fundit gëzon shëndet të plotë, por për Strakoshën, ishte një moment që ndryshoi çdo gjë.

Tani, Bledi Strakosha përpiqet që të kalojë sa më shumë kohë me familjarët, e të jetë një djalë sa më i mirë jo vetëm për ta, por edhe për babain e tij.

Bledi Strakosha: Këtu jemi në një udhëtim që kemi bërë në Greqi, në mos gaboj, pas një momenti të vështirë që ka kaluar babai, për të cilin unë shkurtimisht kam folur një herë tjetër, këtu në studion tuaj. Ishte një moment shumë i paqartë, nëse ai do të vazhdonte të ishte sërish mes nesh dhe fatmirësisht ai gëzon shëndet të plotë, si të thuash, e kaloi atë moment. Por pas atij momenti, ishte ai çasti ku, për ta lidhur pak ndoshta me atë shprehjen, me moton e jetës time, unë kisha dëshirën që të isha një djalë, një fëmijë më i mirë për prindërit e mi, për tim atë. Kam pasur veçanërisht atë pengun e kohës që e kisha shpenzuar shumë larg tyre. Duke rendur pas atyre angazhimeve profesionale, të cilat ne që punojmë në televizion e dimë sakrificën e një formati televiziv, domethënë fillon hershëm në mëngjes dhe nuk e di se kur mbaron. Mirëpo, kjo nuk duhet që t’i bjerë në qafë marrëdhënieve që ndërtojmë me familjarët tanë, marrëdhënieve që ndërtojmë me këdo, qoftë edhe profesionale. Kështu që zgjodha këtë foton sepse është një kujtim shumë i bukur, jemi të gjithë të buzëqeshur, më në fund, edhe kam dashur gjithmonë që ta shoh marrëdhënien time me ta kështu. Uroj që të gjithë njerëzit të kenë një marrëdhënie shumë të afërt me prindërit. /tvklan.al