Rrëmbimi i 3-vjeçarit në Durrës nga gjyshërit: Për dashuri apo egoizëm?

3-vjeçari u rrëmbye nga gjyshërit, pediatrja: Askush nuk mendon për dëmin që i shkaktohet fëmijës

Rrëmbimi i një fëmije 3-vjeçar në qytetin e Durrësit nga gjyshërit e tij, ishte padyshim një ndër ngjarjet që mbajti në ankth jo vetëm nënën e tij, por mbarë opinionin publik javën që lamë pas. Ishte pikërisht 23-vjeçara Ile Gjuni, e cila e dëshpëruar për të gjetur të birin iu drejtua policisë, por edhe medias.

Të shtunën e 13 Prillit, gjyshërit e morën nipin si zakonisht, për të mos e kthyer më. Makthi zgjati një javë dhe në fund, gjyshja e ktheu nipin tek nëna e tij. E teksa opinioni publik iu bashkua akthit e dhimbjes së nënës së re, e cila kërkonte të birin, të paktë ndoshta ishin ata që menduan se çfarë kaloi 3-vjeçari, apo sesi e gjithë kjo ngjarje ndikoi tek ai.

Për pediatren Lira Gjika, kjo është një mendësi e gabuar e shoqërisë tonë, ku fëmija trajtohet si kukull dhe askujt nuk i shkon ndërmend përjetimi që mund të ketë i vogli. Ky, sipas pediatres, është dëmi më i madh që bëhet.

“Të gjithë merren me nënën duke harruar fëmijën dhe kjo është ajo që më bën përshtypje, që flitet vetëm për nënën. Natyrisht që është një vuajtje e madhe për të, por çfarë i ndodh një fëmije? Askujt nuk i shkon ndërmend që një fëmijë rrëmbehet, bëhet zhurmë e madhe gjithandej dhe fëmija sikur s’merr vesh. Ky është edhe dëmi më i madh që bëhet. Sepse ne themi kalamajtë nuk kuptojnë. Kundër kësaj tradite, mendësie, duhet të luftojmë të tërë. Është luftë, jo shaka. Pse është luftë? Sepse ne themi s’e nuk kupton fëmija. S’e nuk e merr vesh ky që ishte vetëm dhe ndodhin këto, ky është kalama e rris unë, s’e dua unë, s’e nuk e mban mend mamanë. Edhe në mënyrën si trajtohet problemi, trajtohet sikur fëmija është një kukull dhe ta vendosësh kudo. Prandaj do kujdes. Natyrisht një nënë që të humbë fëmijën, është humbja më e madhe. Por ama në bazë të ligjit është në interesin më të lartë të fëmijës”, tha Gjika.

“Ti nuk je nëna…”, çfarë i tha stërgjyshja të bijës që rrëmbeu nipin 3-vjeçar

Djalin e humbën tragjikisht në aksident më shumë se një vit më parë, e në mungesë të tij, menduan që të merrnin nipin e ta rrisnin vetë. Të paktën kështu deklaroi gjyshja e 3-vjeçarit, Bahrije Gjuni, e cila një javë më parë rrëmbeu nipin nga nëna e tij 23-vjeçare në Durrës, pasi donte ta rriste vetë. Pikërisht kjo ngjarje u diskutua këtë të martë në studion e “Rudina”. Për pediatren Lira Gjika, veprimi i gjyshërve është papërgjegjshmëri. Ndërsa analistja Raina Kovaçi tregon fjalët e stërgjyshes.

“Një papërgjegjshmëri, një njeri që nuk e di ku e ka vendin, është një veprim impulsiv e kaq. Një jetë e pajetuar”, shprehet pediatrja Lira Gjika.

“Ata kanë bërë dhe gjyq, asaj i takonte dhe mamaja e ka çuar djalin dhe ata kanë ndenjur me të sipas ligjit tamam. Stërgjyshja e ka kritikuar të bijën, gjyshen pra, dhe i ka thënë duhet ta çosh fëmijën tek nëna e vet, se nëna nuk bëhet tjetër. Ti nuk je nëna, je gjyshja”, thotë analistja e çështjeve sociale Raina Kovaçi.

“Ne mund ta shpjegojmë ngjarjen, por jo ta justifikojmë. Fëmijët nuk janë për të zëvendësuar njëri-tjetrin, janë krijesa që i përkasin vetes së tyre, nuk mund ta konsiderojmë një gur shahu. Nëse dëgjojmë historinë, 4 net në 4 hotele të ndryshme. Po pse a ka një fëmijë që bën rehat në 4 hotele të ndryshme? Një fëmijë që e ndjen tensionin, patjetër që e ndjen energjinë që është nën presion. Dhe kanë ndikuar për ndjenja frike tek fëmije”, shton aktivistja Suela Koçibellin.

Vjehrrit i morën fëmijën, ekspertet: Bravo nuses, nuk i hodhi benzinë zjarrit

Humbja e djalit të tyre në një aksident më shumë se një vit më parë nxiti gjyshërit që të rrëmbejnë nga e ëma nipin e tyre 3 vjeç, me pretekstin se donin që ta rrisnin vetë. Kjo ngjarje ka qenë temë diskutimi pasditen e sotme në studion e “Rudina”. Në qendër të diskutimit ishte dhe fakti që nëna 23-vjeçare u tregua shumë e përmbajtur në deklaratat e saj për rrëmbimin e fëmijës së saj të mitur.

“Bravo i qoftë! Bravo i qoftë, që një 23-vjeçare po kërkon të drejtën e saj. Sepse një 23-vjeçare në këto vende të mbyllura nuk pritet të ketë një shkollim, janë të ndrydhura dhe nuk reagojnë”,  thotë aktivistja Suela Koçibellinj.

“Në çdo deklaratë e reja nuk ka sharë dhe është për t’u vlerësuar. Ajo me të vërtet nuk i hodhi benzinë zjarrit. Ajo nuk e nxori veten viktimë. Pra me atë grua ata njerëz mund të diskutonin dhe të ndihmonin njëri-tjetrin. Po ta shohësh në aspektin që çuni im vdiq dhe kjo do të martohet prapë, kjo nuk është e drejtë dhe nuk ka pse të fantazojë njeriu gjëra të tilla. S’kanë pse të fantazojnë se çfarë ka për të bërë ajo sepse këto hyjnë në ato fantazitë perverse. Ndërsa mjafton që ata të ruajnë marrëdhëniet që djali, nipi të rritet me të dyja palët e gjyshërve”, shprehet pediatrja Lira Gjika.

“Pashë gjyshin dhe gjyshen, ishin të rinj, kurse stërgjyshja ishte më e vjetër dhe në fakt kishte një mentalitet akoma më shumë përparimtar sesa vajza e saj dhe se dhëndëri. Pra kjo ka të bëjë kam përshtypjen më shumë me ato ndjenja personale me ato si të thuash ‘smirët’ e shëmtuara që mund të ketë një personazh. Që më vdiq djali, pse kjo ka djalë e unë s’kam. Ndërsa stërgjyshja ishte krejt kundër këtyre mentaliteteve ishte shumë e qartë. Stërgjyshja që ishte e vjetër dhe që ishte fliste shumë mirë në krahasim me vajzën e vet. Ishte shumë e çuditshme”, shton analistja e çështjeve sociale Raina Kovaçi./tvklan.al

Fantastike/ Kjara Ibraj, 11-vjeçarja lezhjane fiton çmimin e tretë në “Sanremo Junior”

Dita e Tokës/ Si ta bëjmë planetin një vend më të mirë për të jetuar?