Në qytetin Balakliia, në lindje të Ukrainës, tre persona u vranë pasi sulmet ruse goditën zona banimi. Ekipet e shpëtimit punuan gjatë së enjtes për të shuar zjarret dhe për të pastruar rrënojat. Tre viktima të tjera u raportuan në rajonin verior të Sumy-t, ku të paktën 19 persona mbetën të plagosur nga sulmet ruse ndaj disa vendbanimeve.
Ndërkohë, edhe 12 persona të tjerë u plagosën në qytetin e Sumy-t pas një sulmi me bomba ajrore të drejtuara, sipas policisë ukrainase. Në rajonin jugor të Khersonit, një sulm me dron goditi një furgon, duke plagosur gjashtë persona.
Rusia dhe Ukraina vazhdojnë të mohojnë se kanë në shënjestër civilët gjatë luftës, e cila nisi me pushtimin rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Sulme pati edhe në Detin e Zi. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, forcat ruse goditën dy anije me ngarkesë pranë portit të Odesës, duke pretenduar se ato transportonin pajisje ushtarake.
Nga ana tjetër, guvernatori i rajonit të Odesës, Oleh Kiper, tha se një sulm rus dëmtoi anijen Mera Queen, me flamur të Guinea-Bissau, e cila transportonte grurë. Si pasojë, një anëtar i ekuipazhit humbi jetën dhe në anije shpërtheu zjarr. Autoritetet ukrainase thonë se gjatë muajit të fundit Rusia ka shtuar sulmet ndaj porteve të Detit të Zi, duke synuar të pengojë eksportet dhe rrugët tregtare të Ukrainës.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se Ukraina goditi dy rafineri nafte në territorin rus: Bashneft-Novoil në Bashkortostan dhe Slavnet-Yanos në rajonin e Yaroslavl. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se gjatë natës mbrojtja ajrore rrëzoi 605 dronë ukrainas mbi territorin rus dhe gadishullin e aneksuar të Krimesë.
Në rajonin e Tverit, autoritetet thanë se mbetjet e një droni dëmtuan lehtë fasadën e një qendre logjistike të kompanisë së tregtisë elektronike Ëildberries, ndërsa nuk pati të plagosur. Edhe rajoni i Yaroslavlit u përball me një valë të madhe sulmesh. Guvernatori Mikhail Yevrayev tha se 92 dronë u rrëzuan gjatë natës. Mbetjet e tyre shkaktuan zjarre në disa shtëpi dhe dëmtuan automjete.
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa përpjekjet diplomatike mbeten të bllokuara dhe sulmet me rreze të gjatë veprimi po shkaktojnë gjithnjë e më shumë viktima dhe dëme në të dyja vendet.
/tvklan.al












Botërori 2026 
