Trump: Po bëjmë përgatitjet për takimin Putin-Zelensky
Donald Trump konfirmoi në rrjetet sociale bisedën telefonike me Vladimir Putin gjatë takimeve të sotme në Shtëpinë e Bardhë.
“Në përfundim të takimeve, telefonova Presidentin Putin dhe fillova përgatitjet për një takim, në një vend që do të përcaktohet, midis Presidentit Putin dhe Presidentit Zelensky,” shkruan ai.
“Pas këtij takimi do të kemi një trilateral, që do të jetë dy Presidentët, plus unë.”
Trump shtoi gjithashtu se gjatë takimeve të sotme u diskutuan garancitë e sigurisë për Ukrainën, të cilat, sipas tij, “do të sigurohen nga disa vende europiane, në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Putin shpreh gatishmëri për t’u takuar me Zelenskyn
Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut të tij amerikan Donald Trump të hënën se është i gatshëm të takohet me liderin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë bisedës telefonike që palët patën.
Udhëheqësit evropianë largohen: bisedimet përfunduan
Udhëheqësit evropianë largohen. Bisedimet përfunduan në Shtëpinë e Bardhë. Merz: Këto janë ditë vendimtare për Ukrainën.
Bisedë telefonike Trump-Putin
Trump dhe Putin folën në telefon. Biseda zgjati rreth 40 minuta. Kremlini e konfirmon këtë. Ata diskutuan “rritje të nivelit të përfaqësimit në negociata”.
Bisedimet midis Trump, Zelensky dhe udhëheqësve rifillojnë
Bisedimet në Shtëpinë e Bardhë midis Donald Trump, evropianëve dhe Volodymyr Zelensky kanë rifilluar në një “format të kufizuar, vetëm me udhëheqës” në Zyrën Ovale.
Zëdhënësi i Presidentit ukrainas Sergei Nikiforov njoftoi se “pas një pushimi, bisedimet kanë rifilluar në Zyrën Ovale në një format vetëm me udhëheqës”.
Ndërkohë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, të cituar nga Sky News, thanë se takimi në Dhomën Lindore, ku merrnin pjesë edhe zyrtarë të tjerë të delegacionit, ka përfunduar.
Kievi ofron 100 miliardë dollarë armë amerikane për garanci
Ukraina po ofron të blejë 100 miliardë dollarë armë amerikane të financuara nga Evropa, si pjesë e një marrëveshjeje për të siguruar garancitë e SHBA-ve për sigurinë e saj pas një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
Financial Times raporton këtë, duke cituar dokumente, të cilat sugjerojnë se propozimi përfshin gjithashtu një marrëveshje midis Kievit dhe Uashingtonit për të prodhuar dronë me kompani ukrainase.
Trump ndërpret bisedimet me liderët evropianë, telefonon Putinin
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka ndërprerë bisedimet në Uashington me liderët evropianë për t’i bërë një telefonatë homologut rus, Vladimir Putin. Kështu tha për “Reuters” një diplomat i Bashkimit Evropian.
Bisedimet do të vazhdojnë pas telefonatës, e cila sipas diplomatit, Trump kishte thënë fillimisht se do të bëhej pasi të konsultohej me liderët evropianë.
Gazeta gjermane Bild raportoi e para për këtë telefonatë.
Liderët e Gjermanisë, Britanisë, Francës, Italisë, Finlandës dhe Bashkimit Evropian po shoqërojnë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në udhëtimin e tij në Uashington, si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s.
Takimi për luftën në Ukrainë vazhdon me dyer të mbyllura
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ai ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe disa liderë të lartë evropianë, e kanë vazhduar me dyer të mbyllura takimin e tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Një nga temat kryesore në axhendë janë garancitë e sigurisë për Ukrainën. Pak para se të largonin gazetarët, Trump tha se “shkëmbimet e mundshme të territorit” për t’i dhënë fund luftës janë në axhendë për diskutim.
Liderët europianë ndjekin një strategji “lajkash dhe këmbënguljeje”
Pas një sërë deklaratash publike, një strategji evropiane për takimet historike të sotme po merr formë.
Pika kyçe duket se është sigurimi i një angazhimi amerikan për garanci sigurie për Ukrainën.
Pothuajse çdo lider evropian e përmendi këtë në një mënyrë apo në një tjetër, disa prej të cilëve duke tentuar të tregojnë se Donald Trump tashmë është dakordësuar për një përfshirje më të madhe.
Shumë prej tyre përdorën fjalët e vetë Trump-it për të fituar mbështetjen e tij. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen tha se ishte e rëndësishme të “ndalej vrasja” dhe përmendi thirrjen e Melania Trump-it për të marrë parasysh vuajtjet e fëmijëve ukrainas.

Patëm shumë lavdërime gjithashtu. Presidentja italiane Giorgia Meloni i tha Trump-it se “diçka ka ndryshuar falë teje”.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e falënderoi presidentin amerikan për hapjen e një rruge drejt negociatave me takimin e tij me Vladimir Putin të premten.
Nëse ekziston një mënyrë e veçantë për të trajtuar Trump-in, është një që përfshin lavdërimet dhe këmbënguljen – kjo u pa qartë këtë pasdite.
Bisedimet për sigurinë do të fillojnë me modelin e NATO-s
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i kujton sallës “trimërinë” e ukrainasve në fushën e betejës, që ka penguar përparimet e rusëve, si dhe unitetin që ishte i nevojshëm për t’i mbështetur ata në këtë.
“Nëse duam të arrijmë paqen dhe nëse duam të garantojmë drejtësinë, duhet ta bëjmë këtë të bashkuar,” thotë ajo.

“Natyrisht mund të mbështeteni tek Italia, ashtu si ka qenë që nga fillimi, ne jemi në anën e Ukrainës. Do të flasim për shumë tema të rëndësishme. E para është garancia e sigurisë, si të sigurohemi që kjo të mos ndodhë më, që është kushti paraprak i çdo lloji paqeje. Jam e lumtur që do të fillojmë nga një propozim, që është modeli i Neni Pesë i NATO-s.”
Ajo shtoi: ”Mendoj se është një ditë e rëndësishme, një fazë e re pas tre vjet e gjysmë gjatë të cilave nuk kemi parë shenja nga ana e Rusisë.”












Botërori 2026 
