Raportim Live

Shehaj nuk lejohet në seancë, Kapri: Rama po shmang përplasjen. Do mbajë përgjegjësi penale

Një përplasje ka ndodhur edhe në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë ku kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj nuk është lejuar që të marrë pjesë në seancë për shkak të masës së përjashtimit.

Deputeti Erald Kapri në një prononcim për mediat shprehet se nuk mund të ndalohet deputeti të ushtrojë detyrën. Ai shton se Rama do të mbajë përgjegjësi juridike dhe penale për këtë.

“Rama do të vijë sot në Parlament dhe i shmangen përplasjet. Dhuna është absurde. Për këtë do të mbajë përgjegjësi juridike dhe penale Edi Rama. Nuk mund të ndalosh deputetin që të bëjë detyrën. Vendi po shkon në një luftë civile”, tha Kapri.

“Mos më shtyj!”, Shehaj përplaset me punonjësit e Gardës

Vijon përplasja te hyrja e Kuvendit mes Shehajt dhe punonjësve të Gardës, ndërsa Bardhi i del në krah…

Agron Shehaj: Dëgjo hajde këtu, hajde këtu! Hiqi duart! Mos më shtyj…

Gazment Bardhi: Aaa të lutem shumë! Nuk preket deputeti me dorë!

download app

Shehaj tenton të futet me forcë në Kuvend, bërtet te hyrja: Kush e ka urdhrin?

Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, po tenton të hyjë në sallën e seancës plenare, por nuk po lejohet nga ana e Gardës pasi ai është përjashtuar për një periudhë 30-ditore.

Ai tenton të futet me forcë, teksa bërtet: Ku e ke vendimin? Kush e ka urdhrin?

Ndërkohë, deputeti demokrat, Gazment Bardhi po komunikon me Gardën lidhur me këtë.

Berisha: Kërkojmë shkrirjen e Parlamentit!

Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh para se të hynte në Parlament se i vetmi akt i përgjegjshëm i kryeministrit Edi Rama është “të deklarojë fundin e tij”.

“Çdo akt tjetër është fund e krye i pavlerë”, tha ai.

“Kërkojmë shkrirjen e Parlamentit”, theksoi kreu i PD-së.

Balla publikon videon e policit të gjakosur: Ky është terrorizëm!

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka shpërndarë një video në rrjetet sociale ku duket një polic i gjakosur.

Siç shihet edhe nga pamjet, policia ka plagë në kokë, e cila është shkaktuar gjatë përleshjes me protestuesit para godinë së Kuvendit të Shqipërisë.

Balla shkruan se kjo nuk është më një protestë paqësore, por një terrorizëm.

“Kjo nuk është më protestë paqësore, është terrorizëm. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, shkruan Balla.

Vijojnë tensionet

Policia ka hedhur ujë me presion dhe spraj me piper në drejtim të protestuesve në mënyrë që ata të shpërndahen. Një pjesë e protestuesve mbajnë maska, kapele e syze.

Nuk raportohen problematika te hyrja kryesore. Këtë herë, nuk ka prani të protestuesve apo ndonjë incident tjetër të mundshëm. Deputetët po hyjnë qetësisht në ambientet e brendshme të Parlamentit.

Një pjesë e deputetëve kanë shkuar në Parlament para orës 08:30 për të shmangur përplasjet me protestuesit. Kështu bëri me dije gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.

Ashtu siç parashikohej, pa nisur seanca, pati një moment tensioni në ambientet e jashtme të Parlamentit. Përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, teksa qytetarët kanë hequr disa prej kangjellave metalike dhe gjuajtën vezë dhe domate në drejtim të tyre…

Automjetet e policisë, kryesisht të forcave “Shqiponja” janë dislokuar pranë parlamentit në rast se situata do të përshkallëzohet më tej.

Ata thërrasin: “Shqipëri e re” dhe “Shqipëria kërkon revolucion” apo “Ju erdhi fundi!”