LAJM I PËRDITËSUAR NË ORËN 21:52

-Serbët në veri të Kosovës vijojnë sot ditën e tretë të protestave. Ata kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 Prillit.

-KFOR ka marrë në ruajtje godinat e komunave të veriut të Kosovës. Aty ka prezencë edhe të forcave të Policisë së Kosovës. Përreth ndërtesave këtë të mërkurë është vendosur një perimetër sigurie me tela me gjemba.

-Lista Serbe është shprehur se protestat do të vijojnë deri kur të përmbushen kërkesat e tyre. Pra të tërhiqen kryetarët shqiptarë dhe të largohen njësitë speciale të policisë së Kosovës.

-NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë. Po ashtu është vendosur një batalion tjetër në gjendje gatishmërie të lartë.

-Shtetet e Bashkuara dhe aleatët qortuan Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, duke thënë se përdorimi i forcës për të instaluar kryetarët në komunat me shumicë serbe, minoi përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Blinken i bëri thirrje Kurtit që të tërheqë forcat policore nga veriu, ndërsa Vuçiç të ulë nivelin e gatishmërisë së ushtrisë.

-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këmbëngulur se kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, janë të vetmit që kanë legjitimitet të jenë në ndërtesat e komunave në veri. Po ashtu ai është shprehur i pakënaqur nga deklaratat e Blinken dhe ka shtuar se “një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”.

-SHBA-ja, mbështetësja më e madhe e pavarësisë së Kosovës, vendosi të anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në një stërvitje ushtarake të NATO-s, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Ora 21:52 – Vuçiç për CNN: Serbia i zbatoi të gjitha detyrimet ndërkombëtare, Kosova asnjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë për rrjetin amerikan CNN, se, pala serbe i ka zbatuar të gjitha detyrimet ndërkombëtare që dalin nga Marrëveshja e Brukselit, dhe se Kosova nuk e ka përmbushur një që i ka takuar – formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, më 2011. Palët i kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Vuçiç ka pretenduar se prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ardhur në pushtet, janë kryer 353 sulme ndaj serbëve, të motivuara në baza entie, dhe se ky është numri më i madh i incidenteve të tilla prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Vetëm këtë vit, janë kryer pesë sulme me të shtëna ndaj civilëve të nacionalitetit serb. Serbët vetëm duan siguri për veten dhe familjet e tyre”, ka thënë Vuçiç.

Ai e ka mohuar akuzën e Kurtit se ai i ka shantazhuar serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, dhe e ka pyetur nëse ka parë diku zgjedhje legjitime demokratike, me pak më shumë se 3 për qind dalje në zgjedhje.

Vuçiç ka thënë se Serbia është e kënaqur me deklaratat e bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, lidhur me krizën në Kosovë.

Sekretari Blinken ka thënë se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po i përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin, derisa Macron ka thënë se Kosova është përgjegjëse për trazirat e shkaktuara.

Sipas tij, Serbia nuk e ka shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në reagimin e saj ndaj krizës.

“Ne e kemi respektuar Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Ne nuk kemi hyrë në Kosovë me ushtarë. Deri më tani ne kemi pasur bashkëpunim profesional me trupat e NATO-s në Kosovë dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë”.

I pyetur se si i komenton protestat e qytetarëve në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ruhet paqja dhe stabiliteti.

“E di se ata janë të vendosur që t’i mbrojnë vatrat e tyre dhe unë u bëj thirrje që të protestojnë në mënyre paqësore”.

Ora 20:31 – Tensionet në Veri të Kosovës, protestuesit serbë plagosin një efektiv të policisë

Një punonjës i Policisë së Kosovës është plagosur nga goditjet me sende të forta nga protestuesit serbë në veri të vendit.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar zyrtarisht se efektivi i policisë u lëndua nga sulmet me sende të forta.

Sipas policisë, protestat e serbëve lokalë në komunat veriore në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë qenë të qeta, por në orët e pasdites disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë drejt makinave policore.

Autoritetet u kanë bërë thirrje protestuesve që të përmbahen nga dhuna. 

Ora 20:27 – Macron-Scholz, takim i mundshëm me Vjosa Osmanin dhe Vuçiç të enjten

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se pret që së bashku me Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, të takojë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 1 Qershor në Kishinau të Moldavisë.

Gjatë një fjalimi në GLOBSEC 2023 Bratislava Forum, ai ka folur edhe për tensionet në veri të Kosovës, ku ndër të tjera, i ka fajësuar autoritetet kosovare për situatën aktuale.

“Ka një përgjegjësi të qartë të autoriteteve kosovare në situatën aktuale dhe mungesë respekti për një marrëveshje që është e rëndësishme dhe është mbyllur disa javë më parë”, ka thënë ai.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, ka bërë të ditur se Kancelari Scholz pret që t’i takojë Osmanin dhe Vuçiçin të enjten në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi.

Hebestreit ka njoftuar në Berlin se të dy liderët evropianë do të diskutojnë rreth situatës aktuale në veri të Kosovës me Presidenten Osmani dhe presidentin Vuçiç.

Kujtojmë se sot ka pasur njoftim edhe nga Presidenca e Kosovës se Osmani do të udhëtojë për në Moldavi ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian.

“Me ftesë të organizatorëve të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC)”.

Sipas njoftimit të Presidencës, krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të Presidentit francez, Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

Kujtojmë se të hënën, 30 ushtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore në Zveçan gjatë përleshjes me protestuesit serbë të cilët përdorën shufra, koktej molotovi, shok bomba, mjete të tjera shpërthyese, gurë dhe shishe prej qelqi.

E gjithë kjo ndodhi pasi protestuesit ishin mbledhur pranë objektit të komunës për ta penguar kryetarin shqiptar që të ushtrojë detyrën që kishte marrë në zgjedhjet e 23 Prillit, e të cilat zgjedhje i ka bojkotuar Lista Serbe.  

Ora 19:40 – Haradinaj: Mocion mosbesimi ndaj Kurtit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të iniciojë një mocion mosbesimi kundër kryeministrit, Albin Kurti. Lajmi e bëri publik kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj.

Mocioni bazohet në dy zhvillimet e fundit në Kosovë: I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me SHBA dhe BE.

“Do të fillojmë diskutimet me spektrin  politik me shoqërinë në përgjithësi. Besoj që mocioni është zgjidhje për këtë situatë të krijuar dhe përgjegjës për këtë është kryeministri”, tha Haradinaj pas mbledhjes së kryesisë së partisë.

Ora 19:36 – Kreu i forcave të NATO-s viziton Kosovën

Pas vendimit për instalimin e 700 trupave shtesë të NATO-s në Kosovë, Prishtinën e vizitoi këtë të mërkurë admirali Stjuart Manç, kreu i komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.

Gjatë takimit të tij me komandantin e KFOR-it, Manç ka deklaruar se përveç 700 trupave shtesë që është vendosur të dislokohen në Kosovë, edhe një batalion rezervë po qëndron në gatishmëri.

Po ashtu admirali i lartë është takuar edhe me ushtarët hungarez dhe italianë të KFOR-it, të cilët u lënduan gjatë dhunës së ushtruar nga protestuesit serbë të hënën në Zveçan.

Ndërsa me ambasadorët e vendeve të Kuintit u konsultua për mundësinë e rikthimit të dialogut mes palëve dhe për t’i dhënë fund dhunës.

Sakaq, telat me gjemba janë vendosur nga KFOR-i në ditën e pestë të protestave të qytetarëve serb në Zveçan dhe në dy komunat e tjera në Leposaviq dhe në Zubin Potok.

Protestuesit të cilëve u prinin mantelbardhët vendosën flamuj të Serbisë.

Edhe gjatë kësaj proteste nuk munguan sulmet ndaj makinave të policisë dhe të mediave. KFOR mësohet po kryen patrullime edhe në qytete në veri të Kosovës.

Ndërkohë, Gjykata e Prishtinës caktoi masën e paraburgimit për 30 ditë dy serbëve të arrestuar të hënën në Zveçan, të cilët dyshohet se u shkaktuan lëndime pjesëtarëve të KFOR dhe Policisë së Kosovës.

Përfaqësuesit të listës serbe zhvilluan takime në komunën e Zveçanit dhe me përfaqësues të EULEX dhe BE, duke shpallur tre kërkesa: lirimin e serbëve të arrestuar, tërheqjen e forcave speciale të policisë nga ndërtesat komunale nga veriu dhe kryetarët shqiptarë të komunave.

Ora 18:19 – NATO vë në gatishmëri trupa shtesë për dislokim në Kosovë

NATO ka vënë në gatishmëri të lartë edhe një batalion rezervë për dislokim në Kosovë “në rast se ka nevojë”, shkaku i tensioneve në veri të vendit. Kjo është bërë e ditur gjatë vizitës së komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralit Stuart Munsch, në KFOR.

Ky lajm vjen vetëm një ditë pasi NATO vendosi të dislokojë forca shtesë, pasi 30 ushtarë të misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

“Diskutimet e tyre [Admiralit Munsch dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia] përfshinin dislokimin e 700 trupave shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe dislokimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë, në rast se nevojiten trupa shtesë”, thuhet në postimin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në Twitter.

Admirali Munsch u takua edhe me ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe iu bashkua thirrjeve të tyre për “kthim në dialog dhe përfundim të dhunës”.

Më 29 maj, KFOR ndërhyri ndaj protestuesve serbë në Zveçan, pasi ata paraprakisht nuk iu bindën thirrjeve që të shpërndaheshin.

Protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it dhe përveç 30 ushtarëve të lënduar, është raportuar edhe për dhjetëra të lënduar nga ana e protestuesve.

Të martën, KFOR bëri të ditur se tre prej ushtarëve morën lëndime nga armët e zjarrit, teksa 27 ushtarët e tjerë kanë lëndime të ndryshme, por që të gjithë nuk kanë plagë vdekjeprurëse.

Gjatë vizitës së tij në KFOR, admirali Munsch takoi ushtarët e lënduar italianë dhe hungarez dhe “i lavdëroi për profesionalizmin, kurajën dhe vetëkontrollin në adresimin e dhunës”.

KFOR tha se ndërhyri në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit” dhe se paqeruajtësit “parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës”.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. 

Ora 15:35 – Protestuesit kërkojnë largimin e policisë në veri të Kosovës

Telat me gjemba janë vendosur nga KFOR-i në ditën e pestë të protestave të qytetarëve serb në Zveçan. Protestuesit të cilëve u prinin mantelbardhët kanë vendosur flamuj të shtetit të Serbisë. Protestat kanë vazhduar të qeta edhe në dy komunat tjera Leposaviç dhe Zubin Potok.

Ish-kryetari i Zveçanit, Dragisha Mileviç duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit Kurti ka thënë se në mesin e protestuesve nuk ka struktura ilegale, grupe kriminale apo pjesëmarrës të grupit Vagner.

“Kemi dy kërkesa, të tërhiqen njësitet speciale nga komuna e Zveçanit si dhe kryetari që mori afro 100 vota me votime në kontejnerë nuk është i pranueshëm apo i mirëseardhur. Duam ta zgjidhim me paqe këtë situatë.

Por menjëherë pas thirrjes së ish-kryetarit të Zveçanit, pre e sulmeve kanë qenë sërish mediat, duke sulmuar kështu 2 vetura të mediave të Kosovës.

Pas përplasjeve të dhunshme në protestën e së hënës, NATO vendosi që 700 trupat nga Forcat Rezervë Operacionale për Ballkanin Perëndimor që ndodhen në Napoli, të diskolokohen brenda dy javësh në Kosovë, ndërsa një tjetër batalion është në gatishmëri.

Tv Klan

15:25 – Hill paralajmëron se Prishtina do të përballet me pasoja

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Kosova do të përballet me pasoja, për shkak të veprimeve të Qeverisë.

“Ne ia kemi bërë shumë të qartë Prishtinës se ne i kundërshtojmë veprimet e Qeverisë Kurti. Sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken, ka qenë, po ashtu, shumë i qartë se do të ketë pasoja në marrëdhëniet me Prishtinën”, ka thënë Hill para gazetarëve në Beograd.

Ambasadori amerikan ka paralajmëruar se nuk duhet humbur fokusin, duke pasur referencë dialogun e Brukselit, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe synimet e rajonit për integrime evropiane.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u ka bërë thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai e ka përsëritur se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.

15:20 – Protestuesit serbë sulmojnë makinën e policisë, godasin edhe një gazetar

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se gazetarët që janë duke raportuar nga Zveçani janë sulmuar nga protestuesit lokalë.

Sipas AGK-së, gazetarët janë sulmuar pasi kanë tentuar të filmojnë momentin e sulmit ndaj veturës së Policisë së Kosovës.

“Në një video dërguar AGK-së, shihet se protestuesit urdhërojnë që të mos xhirohet, kështu duke i shkuar nga prapa e pastaj sulmuar në bark, gazetarin e RTV 21, Burim Zariqin, njëherësh anëtarin e Bordit të AGK-së”, thuhet në njoftimin e AGK-së, transmeton Klankosova.tv.

AGK u ka bërë thirrje të gjithë gazetarëve që po raportojnë nga veriu që të kenë kujdes të shtuar.

“AGK-ja, njëherësh ju bën thirrje organeve kompetente, që të marrin masa për t’i siguruar gazetarët që gjenden në këto komuna”, thuhet në reagim.

14:50 – Tahiri: Kurti të raportojë sa më shpejt në kuvend mbi situatën në veri

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se 31 Maji i këtij viti, Kosovën e gjen në një pozitë të palakmueshme dhe të sanksionuar nga ShBA-ja.

Tahiri tha se kjo është e dëmshme dhe karshi kësaj situatë, ai tha se duhet të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë që të sanohet dëmi.

“Është e dhimbshme që vendi ynë që për herë të parë merr pjesë në një ushtrim jashtëzakonisht të rëndësishëm të NATO-s siç ishte “Defender 2023” të përjashtohet në fillimet e saj”.

“Si grupe parlamentare të opozitës kemi kërkuar që ta kemi sa më shpejt një raportim të kryeministrit në kuvend mbi krejt atë se çka po ndodh në veri dhe në raport me aleatët e në veçanti me ShBA-të”, tha Tahiri.

Ai tutje tha se s’ka parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë mbështetur bandat në veri, por sipas tij, me ndihmën e tyre është vendosur ligjshmëria në komunat veriore.

“Që nga fillimi, edhe në qeverinë e parë dhe në të dytën, ne kemi parë që qasja e Kurtit ndaj ShBA-së ka qenë problematike dhe jemi ballafaquar me kërcënime. Në Qeverinë Kurti 1, një nga arsyet pse kemi shkuar në zgjedhje ishte dëmtimi i relacionit me ShBA-të”.

“Tash pasuan sanksionet dhe ajo çka kemi dëgjuar mbrëmë nga Kurti në raport me Sekretarin Blinken është jashtëzakonisht shqetësuese dhe pamaturi e madhe. Me ardhë puna që kryeministri i Kosovës ta quajë naiv Sekretarin e ShBA-së është e papranueshme”, tha Tahiri.

14:33 – Borrell: Situata në veri, e rrezikshme dhe e paqëndrueshme

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë se situata aktuale në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.

Ai i ka bërë këto deklarata, pas takimit që e ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bratisllavë.

“Kemi nevojë urgjente për ulje të tensioneve dhe zgjidhje mes dialogut, për t’iu kthyer punës drejt zbatimit të Marrëveshjes së arritur”, ka thënë Borrell, duke iu referuar paktit mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

Palët janë darkorduar për këtë Marrëveshje në shkurt, në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars të Maqedoni të Veriut.

14:14 – Komiteti Olimpik i Kosovës kërkon procedura disiplinore kundër Djokoviçit 

Autoritetet olimpike të Kosovës kërkuan nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që të hapë procedura disiplinore kundër tenistit serb, Novak Djokoviç, për, siç thanë, nxitje të tensioneve politike me deklaratën e tij se “Kosova është zemra e Serbisë”, të bërë në turneun French Open.

Djokoviç e shkroi mesazhin në një objektiv kamere pas fitores së tij në rundin e parë, të hënën.

Në këtë ditë, 30 trupa paqeruajtëse të NATO-s u lënduan në përleshjet me protestuesit serbë në qytetin Zveçan, pjesa veriore e Kosovës. Autoritetet serbe thanë se 52 protestues u lënduan në përleshje.

Dhuna shpërtheu pasi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, morën detyrën.

Djokoviç tha se është kundër çdo lloji të konfliktit, por mbrojti deklaratën e tij, ndërsa situatën në Kosovë e përshkroi si “precedent”.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se “Djokoviç ka promovuar sërish propagandën e nacionalistëve serbë dhe ka përdorur platformën sportive për ta bërë këtë”, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Deklaratat e mëtejshme, pas ndeshjes, të bëra nga një personazh i tillë publik, pa asnjë ndjenjë pendimi, rezultojnë drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të tensioneve dhe dhunës midis dy vendeve”, tha Krasniqi.

Sipas tij, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar duhet ta hetojë rastin, duke hapur procedura disiplinore kundër sportistit.

Ministrja e Sportit e Francës, Amelie Oudea-Castera, vendi i së cilës do t’i organizojë Lojërat Olimpike verore në Paris, vitin e ardhshëm, tha se mesazhi i Gjokoviqit ishte qartazi “i pavend”.

“Ekziston një parim i neutralitetit për fushën e lojës. Kur keni mesazhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mesazhe që i bashkojnë njerëzit rreth vlerave universale, një person sportiv është i lirë t’i shprehë ato”, tha Oudea-Castera për televizionin francez.

“Por, në këtë rast, ishte një mesazh shumë aktivist, shumë politik. Nuk duhet të përfshiheni, sidomos në rrethanat aktuale, dhe nuk duhet të përsëritet më”, shtoi ajo.

Djokoviç tha se nuk zmbrapset dhe se të njëjtën do ta bënte sërish. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk ka dalë ende me ndonjë koment. Të martën, Federata e Tenisit e Kosovës tha se komentet e Djokoviçit janë për “keqardhje”.

13:35 – Zëdhënësi i Kremlinit: Rusia mbështet pa kushte Serbinë

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, ka reaguar lidhur me ngjarjet në veriun e Kosovës. Peskov tha se Rusia e mbështet pa kushte Serbinë.

“Duhet të mbrohen të gjitha të drejtat dhe interesat legjitime të popullatës serbe. Moska po e monitoron nga afër situatën”, tha ai.

Që nga e premtja serbët po protestojnë duke i kundërshtuar kryetarët e zgjedhur më 23 prill. Të hënën protesta përshkallëzoi, pasi serbët u përleshën me ushtarët e KFOR-it. Si pasojë 30 ushtarë u lënduan, e tre nga ta u plagosën me armë zjarri.

Për shkak të situatës, NATO ka dislokuar 700 pjesëtarë shtesë. Protesta vijon ende, ndërsa situata paraqitet e qetë.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka vënë në gatishmëri ushtrinë serbe dhe ka urdhëruar njësitë ushtarake të avancojnë drejt kufirit.

Rusia nga ana tjetër ka fajësuar Kosovën dhe vendet perëndimore për përshkallëzimin e tensioneve, shkruan Reuters, përcjell Klankosova.tv

12:48 – Macron: Autoritetet e Kosovës mbajnë përgjegjësi për trazirat që janë rritur ndjeshëm

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se autoritetet e Kosovës “mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm” në veri të Kosovës, prej se kryetarët e rinj shqiptarë kanë marrë detyrën në komunat me shumicë serbe.

Macron i bëri komentet në një konferencë për sigurinë në Bratislavë.

Ora 12:55 – Kurti i gatshëm për t’u takuar me Vuçiç: Zgjidhja e situatës, implementimi pa vonesa i marrëveshjes

Nga Forumi i Sigurisë Globsec 2023 që zhvillohet në Bratislavë, Albin Kurti tha se mënyra për të zgjidhur situatën e krijuar në veri të Kosovës është implementimi sa më parë i marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.  

SHBA po ju dërgon një mesazh të fuqishëm, duan që të gjeni një rrugëdalje nga kjo situatë…

Albin Kurti: Po punojmë fort për të gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë. Dhe unë besoj shumë se zgjidhja nuk duhet të jetë një rrugë me kthesa, por një hekurudhë. Që do të thotë se na duhen dy binarë. E para është për të dalë nga kjo krizë në veri. Që do të thotë sundimi i ligjit, bandat ose mbrapsht në Serbi ose në burg në Kosovë. Dhe më pas zvogëlimin e policëve në objektet komunale dhe normalizimin e situatës. E dyta është një implementim i shpejtë, i plotë, pa kushte e vonesa të marrëveshjes bazë që kemi rënë dakord. Legjitimiteti, autoriteti, kredibiliteti i të treja palëve, tre plus një, Kosova, Serbia, BE dhe SHBA po gërryhet duke pasur një tekst dhe jo implementim. Një prej kritikave të mia më të mëdha ndaj paraardhësve të cilët që po bënin këto lloj marrëveshjesh ishte që firmosja dhe implementimi ishin dy planete të kundërta. Po shpresoja që ta sillnim këtë në të njëjtin kontinent, në Europë. Por tani po i rikthehemi sindromës së vjetër, ku bëjmë marrëveshje, që nuk implementohen. Kam një listë të gjatë sesi Beogradi po shkelte implementimin e marrëveshjes. Nuk e bëra unë këtë. E dyta, për të ndërtuar këtë linjë hekurudhore, na duhet një tren më i shpejtë. Na duhet të intensifikojmë dialogun. Jo të takime të nivelit të lartë njëherë në 2 muaj.

Kurti u shpreh i gatshëm për t’u takuar me Vuçiçin, sepse siç tha, ai bie dakord me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

A mendoni se do të keni së shpejti një takim? A jeni ju të gatshëm për t’u takuar së shpejti me presidentin Vuçiç, nëse kjo bëhet e mundur nga SHBA apo BE.

Albin Kurti: Jam shumë i gatshëm sepse unë pajtohem me marrëveshjen, njohjen defacto dhe vetëmenaxhimin e komunitetit serb, që do ta respektoj, sepse dua të mbroj të gjithë serbët. Jam edhe kryeministri i tyre dhe kam vuajtur shumë në jetë, nuk dua që të tjerët të vuajnë. E di çfarë do të thotë që ndihesh i pa përfaqësuar.

12:39 – Sanksione nga SHBA e BE? Kurti: Jam i shqetësuar, por kurrë i frikësuar!

Në Bratislavë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pyet edhe nëse është i frikësuar nga sanksionet e mundshme që mund të marrë nga SHBA e BE, pas situatës së krijuar në veri.

Pyetje: SHBA paralajmëruan me sanksione dje. BE mund të pezullojë liberalizimin e vizave, që ju kanë premtuar për 1 Janar 2024. Si do reagoni ju ndaj kësaj situate?

Albin Kurti: Unë jam i shqetësuar thuajse gjatë gjithë kohës, por kurrë i frikësuar, sepse është në përshkrimin tim të punës (si kryeministër) që mos jem i frikësuar, por të jem i shqetësuar.

12:33 – Kurti: Kryetarët e komunave nuk mund të veprojnë në zyra të tjera

Në Forumin e Sigurisë në Sllovaki, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar në mënyrë absolute se kryetarët e zgjedhur në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan nuk do të veprojnë në zyra të tjera.

Kjo argumenton ai, sepse do të ishte në kundërshtim me demokracinë. Sipas Kurtit, faktori ndërkombëtar e ka pranuar procesin zgjedhor të Prillit.

-Bazuar në ligjet e Kosovës, ju po synoni ta çtensiononi situatën, a mund të veprojnë diku tjetër këta kryetarë komune?

Albin Kurti: Qëndrimi im vjen nga detyra ime si kryeministër, unë drejtoj qeverinë demokratike. Ka struktura paralele të armatosura që veprojnë në veri të vendit, nëse do urdhëroja që këta kryetarë të shkonin në zyra të tjera unë do përfshihesha në krijimin e strukturave të tjera paralele dhe kjo do ishte në kundërshtim me një demokraci funksionale. Ligji duhet të jetë mbi ndërhyrjet politike, ne nuk mund të ndërhyjmë në funksionimin ligjor, s’mund të themi që nuk janë kryetarë të zgjedhur. Edhe faktori ndërkombëtar e ka pranuar rezultatin. Kjo nuk mund të ndodhë sepse ata janë zgjedhur nëpërmjet një procesi të njohur. Unë nuk kam fuqi të bëj gjithçka, unë s’mund të tejkaloj mandatin tim si kryeministër, unë nuk mund të dal jashtë kornizës institucionale.

12:16 – Kurti për forcat e KFOR: Ka koordinim mes nesh, por nuk pajtohemi me çdo gjë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka qenë i pranishëm sot në Forumin e Sigurisë në Sllovaki ku ka folur për situatën e tensionuar në veri.

I pyetur se a do të ketë një rikthim të normalitetit në 3 komunat me shumicë serbe, Kurti theksoi se është në koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe se po kryhen përpjekje për qetësimin e situatës.

Por sipas tij, jo gjithmonë ka dakordësi për çdo gjë.

Pyetje: Shpresojmë që Vuçiç t’ju ndjekë sot, ju bëtë ca justifikime për situatën në veri të Kosovës. A do ta njihnit ju rolin legjitim që ka KFOR për të ruajtur paqen e sigurinë e njerëzve në këto zona, a do ketë rikthim të normalitetit në veri?

Albin Kurti: Epo, siç e dini forcat e NATO-s janë në Kosovë që nga ndërhyrja për çlirimin e vendit, jemi në komunikim të rregullt me komandantin e KFOR, është gjeneral me eksperiencë nga Italia ai që drejton KFOR-in në Kosovë. Takohemi mbrëmjeve vonë, ka koordinim mes nesh, jo çdo kohë ne pajtohemi me çdo gjë.

Sa i përket godinave në veri të Kosovës, e kuptoj se nuk duhet të ketë aq shumë forca policore rreth, por nga ana tjetër ka njerëz të dhunshëm, që kanë sulmuar dhunshëm forcat policore, gazetarët, kanë plagosur dhe ushtarë të KFOR dhe ata duhet të dalin para drejtësisë. Duhet të kemi vendosjen e drejtësisë në këto zona, këto lloj krimesh duhet të ndëshkohen.

Pajtohem që duhet të ritkhehet normaliteti, ne po përpiqemi, por këto komuna nuk mund të drejtohen nga zyra ime si kryeministër, ata do të qëndrojnë më pak nga mandati i tyre. Ne u kërkuam njerëzve të mos ishin triumfalistë sepse serbët bojkotuan zgjedhjet, e kuptoj që ka nevojë për bashkëpunim me qeverisjen qendrore.

12:08 – Kurti: Duam marrëdhënie fqinjësore me Serbinë. Vuçiç nuk ka zbatuar marrëveshjen e Ohrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur nga Bratislava për situatën në veri. Ai u shpreh se vendi ku Serbia dhe Kosova zhvillojnë dialogun është Brukseli. Ai theksoi se Kosova synon marrëdhënie fqinjësore me Serbinë duke zbatuar vlerat europiane.

“Brukseli është vendi ku ne zhvillojmë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Synojmë marrëdhënie fqinjësore me Serbinë duke zbatuar vlerat europiane. Të dy shtetet synojnë të bashkohen në familjen europiane. Duhet të plotësojmë kritere për anëtarësimin në BE. Kosova është një histori suksesi në këtë drejtim në realizimin e reformave të kërkuara nga BE”, u shpreh Albin Kurti.  

Sipas Kurtit është e vështirë që të kuptohet ajo që po ndodh në Kosovë. Sipas tij, Beogradi i ka lejuar komunitetit serb në veri të Kosovës që të organizohen vetëm në një parti politike. Nga ana tjetër ai theksoi se shqiptarët janë organizuar në dhjetëra parti politike. Sipas tij duhet të ketë larmi dhe pluralizëm edhe në etninë serbe. Po ashtu Kurti theksoi se Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nuk ka zbatuar marrëveshjen e Ohrit.

“Është e vështirë të kuptohet nga jashtë ajo që po ndodh në Kosovë. Ka një ide nga Serbia që të bashkojë serbët kudo që jetojnë ata jashtë Serbisë. Ata duan të krijojnë një shtet, një parti. Partia e tyre kryesore është kisha ortodokse serbe, e cila dëshiron të shtrijë influencën në të gjitha shtetet e rajonit. Ne na duhet demokraci që të rikthehet edhe në Serbi.

Kemi një komunitet serb që jeton në Kosovë, por kemi edhe minoritete të tjera, 3 % të minoriteteve të tjera etnike, romë, egjiptianë, boshnjakë, por komunitetin serb në Kosovë, Beogradi i ka lejuar ata të organizohen vetëm në një parti politike. Ne si shqiptarë kemi me dhjetëra parti politike. Një nga ministrat e mi nga komuniteti serb ka kurajo për të vepruar politikisht por ai pengohet nga Beogradi gjatë gjithë kohës.

Ata mbështesin vetëm Listën Serbe. Është shumë e rëndësishme që të përfshihen në politike, të ketë ide heterogjene, të ketë larmi edhe pluralizëm në etninë serbe, ata të kenë përfaqësim politik të larmishëm në Kosovë. Vuçiç nuk ka zbatuar marrëveshjen që ramë dakord në Ohër. Ka një marrëveshje të arritur vite më parë në Serbi që disa nga drejtuesit policorë në veri të Kosovës të jenë serbë. Sigurisht kjo është ide e pranueshme që në komunat me shumicë serbe të kenë të drejta më të gjera sa i përket zhvillimit të marrëdhënieve komunitare. Nuk mund t’i përjashtojmë nga vetëqeverisja lokale. Është e rëndësishme të kuptojmë që komunitetet me shumicë në këto komuna të shprehen në identitetin e tyre kombëtar se kujt i përkasin sipas gjuhës, historisë. Nuk është ajo që po bëjmë që t’i pengojmë të shprehen në mënyrë demokratike për këto të drejta”, u shpreh Kurti.

12:00 – Kurti: Forca jashtë Kosovës duan të përshkallëzojnë situatën në veri

Forcat policore u dërguan në veri të Kosovës për t’u siguruar që kryetarët e rinj të vazhdonin punën, pas zgjedhjeve legjitime. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës Albin Kurti në forumin e Bratislavës ku po merr pjesë.

“Kur këta kryetarë të zgjedhur nga zgjedhjet e prillit duhet të shkonin në zyrat e tyre, të cilat ishin bosh sepse serbët ishin tërhequr drejtimi i këtyre komunave, ata u penguan. Forcat tona policore u dërguan për t’u siguruar për vazhdimin e punës së kryetarëve të zgjedhur”.

I pyetur nëse mund të shmangej kjo situatë, Kurti tha se ka forca jashtë Kosovës që duan të nxisin përleshje dhe kërkojnë që situata në veri të përshkallëzohet. Sipas tij në mesin e tyre ka njerëz të dhunshëm që përkrahin Presidentin rus Vladimir Putin, apo policë serbë.

“Ne kemi 38 komuna në Kosovë dhe ka situatë normale në to. Nuk po ndodh ajo që ka ndodhur në 4 komunat në veri të vendit. Ka forca të jashtme, pra jashtë Kosovës që duan të nxisin përleshje të dhunshme, situatë të tensionuar që situata të përshkallëzohet. Ne shikojmë njerëz të dhunshëm që shprehin përkrahjen, adhurimin për Putin. Disa prej tyre kanë qenë policë në Serbi, kanë pasur uniforma policore duke shërbyer për shtetin e Serbisë. Kanë ardhur në Kosovë për të ushtruar veprime të dhunshme”.

Sa i përket policisë së Kosovës, Kurti tha se ajo “po kryen një punë profesionale për të siguruar standarde europiane të funksionimit të institucioneve lokale në Kosovë. Ka pasur veprime të dhunshme ndaj policisë kosovare këto ditë”. “Ne po zbatojmë parimet e shtetit ligjor. Por nuk do të tolerojmë grupet nacionaliste”, shtoi Kurti.

11:35 – Ish-kryetari i Zveçanit: Nuk ka struktura kriminale në protesta

Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviç, u tha gazetarëve se në mesin e protestuesve serbë atje “nuk ka struktura të organizuara, nuk ka banda të organizuara kriminale, pjesëtarë të të ashtuquajturit grup Wagner, apo të rinj që – siç thotë Prishtina – duan të djegin çdo gjë që nuk është serbe”.

“Këtu janë qytetarët e Komunës sonë të Zveçanit, vëllezërit nga Mitrovica e Veriut”, tha Milloviç, pas akuzave të autoriteteve të Kosovës se “strukturat e organizuara kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi zyrtar, janë përgjegjëse për trazirat në veri.

Ai tha se këto protesta nuk janë kundër KFOR-it dhe se i vjen keq për, siç tha, “konfliktin e imponuar” dhe “për atë që ndodhi”.

Milloviç tha se protesta po zhvillohet kundër “pushtimit brutal të objektit të Komunës së Zveçanit”.

“A e ka ditur KFOR-i? A ka ndihmuar? Ne po kërkojmë përgjigje për këtë. Kërkesat e vetme janë që njësitet speciale me tuba të gjatë të largohen dhe të largohen nga ndërtesa e Komunës së Zveçanit”.

Sipas tij, kryetarët shqiptarë janë “të papranueshëm dhe jo të mirëpritur”.

11:32 – Kurti në Bratisllavë, takohet me Borrell e Lajçak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të mërkurën në Bratisllavë të Sllovakisë.

Takimi ka ndodhur para pjesëmarrjes së Kurtit në një diskutim për të ardhmen e Kosovës në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë.

“Po, kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë. Ndër tjerash, atje do të takojë përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell, dhe emisarin e BE-së, Lajçak, si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit. Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, më herët gjatë 31 majit.

Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.

Të dy liderët ishin të ftuar në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Bratisllavë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.

Vuçiç, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.

10:43 – Kurti shkon në Bratislavë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjendet në Bratislavë, ku po zhvillon punimet një forum për sigurinë. Pamjet e tij në rrjetet sociale i publikoi Instituti sllovak, GLOBSEC, i cili po organizon forumin.

Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratislavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.

Të dy liderët ishin të ftuar në forumin e sigurisë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.

Vuçiç, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratislavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.

REL-i po përpiqet të marrë informacione nga zyrtarët evropianë nëse takimi Kurti-Vuçiç në Bratisllavë ka ende gjasa.

10:31 – Pse SHBA-ja e ndëshkoi Kosovën?

SHBA-ja ndërmori masa kundër Kosovës për injorimin e këshillave të saj për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.

Ajo e kritikoi Qeverinë e Kosovës për instalimin e kryetarëve shqiptarë në veri “me mjete të dhunshme”. Për pasojë, Kosova u përjashtua nga pjesëmarrja në një stërvitje ushtarake, të udhëhequr nga Amerika në Evropë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja po shqyrton edhe masa të tjera dhe se, aktualisht, “nuk ka entuziazëm” për ta ndihmuar Kosovën në përpjekjet e saj për të fituar njohje më të madhe ndërkombëtare ose për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, shkëmbyen akuza për skenat e dhunshme në Zveçan, ku përleshjet mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it rezultuan me dhjetëra të plagosur në të dyja anët.

Kurti tha se protestuesit në Zveçan vepruan nën udhëzimet e Beogradit zyrtar. Vuçiç tha se Kurti është vetë përgjegjës për trazirat.

10:25 – BBC për situatën në veri: Këshillat e aleatëve ranë në vesh të shurdhër

“Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti nuk kanë shkuar mirë me njëri-tjetrin. Dhe tashmë Presidenti serb dhe Kryeministri i Kosovës po përdorin skenat e dhunshme në veriun e Kosovës me shumicë serbe për të shkëmbyer akuza”. Kështu e nis artikullin e BBC News për situatën në veri të Kosovës.

Në një fjalim publik, Vuçiç tha se “Albin Kurti është përgjegjës për trazirat në Zveçan”, shkruan BBC. Atje mbetën të lënduar dhjetëra persona, mes të cilëve edhe 30 anëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR. Kjo nxiti aleancën që të shtojë trupat e saj në Kosovë.

Vuçiç u ka kërkuar njerëzve që të përmbahen nga aktet e dhunës, të cilat sipas tij përmbushin dëshirën e udhëheqësit kosovar për të pasur një konflikt mes serbëve dhe NATO-s. Nga ana tjetër Kurti pretendon se protestuesit në Zveçan ishin një “grusht ekstremistësh nën drejtimin e Beogradit zyrtar”.

Presidentja e Kosovës fajësoi për dhunën “bandat kriminale, të cilat marrin urdhra nga Vuçiç për të destabilizuar veriun e Kosovës”.

“Diku në mes, mund të dëgjoni diplomatët e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara që kërcasin dhëmbët. Ata shpenzuan pjesën më të madhe të vitit të kaluar që të shtyjnë Beogradin dhe Prishtinën drejt një marrëveshje normalizimi marrëdhëniesh”, shkruan BBC.

“Skenat e shëmtuara të së hënës të paktën përqendruan vëmendjen ndërkombëtare në çështjet e pazgjidhura mes minoritetit etnik serb në Kosovë dhe shumicës qeveritare shqiptare”, thuhet më tej në artikull.

Serbët etnikë dhe partitë serbe refuzuan që të merrnin pjesë në zgjedhjet e muajit të kaluar për katër komuna në veri të Kosovës. Pjesëmarrja e ulët në vetëm 3.5% lehtësoi zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë në qytetet ku shumica dërrmuese e njerëzve janë serbë.

Pavarësisht bojkotit, aleatët ndërkombëtarë të Kosovës kanë mbështetur zgjedhjet. Por ata ndryshuan zërin kur bënë të qartë se kryetarët e rinj nuk kishin mandat për të folur. Në prapaskena, ata i bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që të ecin me kujdes për të shmangur tensionet në veri.

“Këshilla e tyre ra në vesh të shurdhër”, shkruan BBC.

Të premten e kaluar, policia speciale hyri me forcë në godinat e tre komunave që kryetarët të merrnin detyrën. Po ashtu ata hoqën flamujt serbë dhe i zhvendosën me flamurin e Kosovës.

Kjo nxiti një përgjigje të menjëhershme nga mbështetësit më të fortë të Kosovës. BE-ja dhe NATO i bënë thirrje Kurtit që të tërhiqej nga një pozicion qartësisht provokativ. Por deklarata më e ashpër nga të gjithë erdhi nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony blinken.

“Ai tha se SHBA-ja dënon me forcë veprimet e qeverisë së Kosovës e cila ka rritur tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai paralajmëroi se do të ketë ‘pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën’”, shkruan BBC.

“Por ky qortim pati pak ndikim te Kurti, i cili i shpërfilli thirrjet për të çtensionuar situatën dhe deklaroi me butësi se Kosova ende gëzonte mbështetjen ndërkombëtare ndërsa tensionet ‘ziheshin’ gjatë fundjavës”, shkruan BBC.

Nga ana tjetër në Serbi, Vuçiç po urdhëronte trupat në kufi me Kosovën.

“Ishte pak më shumë se sa një zhurmë, pasi Serbia nuk ka oreks për t’u ndërlidhur me 4000 trupat e NATO-s që garantojnë paqen në Kosovë”, shkruan BBC.

“E njëjta ndjenjë, me sa duket, nuk vlen për njerëzit që u filmuan duke sulmuar paqeruajtësit italianë dhe hungarezë në Zveçan”, shton më tej BBC.

Banorët insistojnë se po qëndronin ulur në tokë në një protestë paqësore.

“Kjo ngre pikëpyetje se kë përfaqësonin burrat muskulozë dhe me shkopinj, të cilët biseduan me personelin e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës”, shkruan BBC.

Tensionet janë qetësuar disi pasi kryetarët kanë pranuar të mos shkojnë më në zyrat e tyre. Megjithatë emocionet sërish udhëheqin më shumë. Këtë e ilustron përgjigja e tenistit serb, Novak Djokoviç, pas situatës së krijuar nga ai në ndeshjen e French Open.

Ai shkroi një mesazh në kamera pas fitores së ndeshjes së parë. “Kosova është zemra e Serbisë”, lexohej aty. “Stop dhunës”, shkruante në fund.

“Por derisa Kosova dhe Serbia të arrijnë të fokusohen në bashkëpunim dhe jo në akuza, tensionet nuk ka gjasa të jenë larg”, përfundon shkrimin e saj BBC.

09:52 – Lajçak: Përshkallëzimi i situatës në veri, i palogjikshëm. Zgjidhja vetëm politikisht

Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se tensionet e krijuara në veri, janë të palogjikshme dhe të panevojshme.

Ai për DW, ka theksuar se zgjidhja e vetme për çtensionimin e situatës, është ajo politike.

”Kjo do të thotë se ne kemi një rrugë drejt normalizimit, kemi një program që trajton qartë të gjitha çështjet e hapura. Ne filluam ta zbatojmë atë dokument dhe pastaj erdhi kjo, e cila është krejtësisht e panevojshme, por fatkeqësisht krijon pengesa shumë serioze”, tha Lajçak.

09:40 – Ministri serb i Mbrojtjes: Situata në Kosovë, shumë e rrezikshme

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha të mërkurën se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme.

Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçeviç përsëriti akuzat e Beogradit zyrtar se fajtore për këtë situatë janë autoritetet në Kosovë.

Ai i cilësoi vendimet e tyre si “të njëanshme, të paligjshme dhe jolegjitime”. Ai, po ashtu, tha se janë përcaktuar vijat e kuqe.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë, ndërsa, nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për – Zoti na ruajt – skenarë ku dikush vret serbë”, tha Vuçeviç.

Ai tha se Forcat e Armatosura të Serbisë do të jenë në gjendje të lartë të gatishmërisë luftarake derisa të vlerësohet se interesat kombëtare dhe shtetërore të Serbisë janë të kërcënuara dhe derisa ka rrezik të lartë të sigurisë në Kosovë.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura, si dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

Nga përleshjet mes protestuesve dhe ushtarëve të KFOR-it, të hënën në Zveçan, 30 ushtarë janë plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues. Vuçeviç tha se autoritetet në Serbi janë në kontakt me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Kemi komunikim të vazhdueshëm, ku shkëmbejmë informacione, por vëmë në dukje edhe mosmarrëveshjet për disa çështje, sepse nuk jemi të kënaqur me veprimet e KFOR-it”, tha Vuçeviç.

Ai tha se beson se KFOR-i duhet t’i largojë njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe.

Vuçeviq vlerësoi, gjithashtu, se ky është parakusht për qetësimin e situatës.

09:11 – Protestuesit shpalosin flamurin e Serbisë në Zveçan

Radio Evropa e Lirë raporton për tubimin e një numri më të madh protestuesish, në krahasim me një ditë më parë në Zveçan.

Situata duket e qetë dhe në mesin e protestuesve ka një numër të madh të të punësuarve në institucionet që punojnë në sistemin e Serbisë.

Po ashtu mes protestuesve është shpalosur një flamur gjigand i Serbisë.

Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërgjan Millosavleviç, përsëriti kërkesat e protestuesve që lidhen me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe në veri.

Misioni i NATO-s, KFOR, ka ngritur tela me gjemba përreth objektit të komunës.

09:08 – Tensionet në veri, Grubi: Zgjidhja e vetme është njohja mes Kosovës dhe Serbisë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka reaguar rreth situatës së fundit të krijuar në veri të vendit.

Ai ka thënë se zgjidhja e vetme është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Situata në Veri të Kosovës ka ngjallur këto ditë shqetësim të madh ndër ne dhe te mbarë faktori ndërkombëtar. Dënoj ashpër protestat e dhunshme dhe sulmin ndaj forcave të KFOR-it duke apeluar për rikthim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në frymën e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit”.

“Ftoj autoritetet e Kosovës të vazhdojnë koordinimin me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatët tanë të përhershëm, duke pasur gjithmonë në mendje se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe zgjidhja e vetme është njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.

08:35 – Protestat në veri të Kosovës do të vijojnë edhe këtë të mërkurë

Dhjetëra protestues janë mbledhur para komunës së Zveçanit, ku paqeruajtësit e KFOR-it kanë ngritur tela me gjemba. Qytetarët serbë kanë paralajmëruar protesta më të fuqishme ditën e sotme. Me dhjetëra protestues janë mbledhur edhe para ndërtesës së komunës në Zubin Potok.

Në komunat veriore të vendit ku serbët po protestojnë prej disa ditësh kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës kanë mbajtur nën kontroll situatën.

Në dallim nga ditët e kaluara, gjatë natës së mbrëmshme në komunën e Zubin Potokut, pjesëtarët e Policisë së Kosovës që qëndruan për tre ditë me radhë në vijën e parë përballë protestuesve, janë zëvendësuar me ushtarë të KFOR-it, ndërsa policët ndodhen brenda objektit komunal.

Në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal.

Përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, kanë thënë se do t’i vazhdojnë protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre, përkatësisht të tërhiqen edhe kryetarët shqiptarë të komunave, edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe.

Protestuesit serbë shpalosin një flamur gjigant të Serbisë në Zveçan

Thirrje të ngjashme janë bërë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këmbëngulur se kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të Prillit, janë të vetmit që kanë legjitimitet të jenë në ndërtesat e komunave në veri.

Kujtojmë që një ditë më parë NATO vendosi të dërgojë 700 trupa të tjera shtesë në Kosovë dhe do të vendosë një batalion në gjendje gatishmërie të lartë pas trazirave.

08:19 – Blinken: Qeveria Kurti të tërheqë forcat policore! Vuçiç të ulë nivelin e gatishmërisë së ushtrisë

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken u bëri thirrje të martën të gjitha palëve në Kosovë, të punojnë për të ulur tensionet në veri të vendit. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e së hënës kundër trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe gazetarëve, që ai e quan “të papranueshme”.

Kjo është deklarata e dytë, që nga e premtja, që sekretari amerikan i shtetit fajëson qeverinë e Kosovës për acarimin e situatës. “Vendimi i qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave, i acaroi thellë dhe pa nevojë tensionet”, shprehet zoti Blinken.

“Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij”, thekson ai, “duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre.“

“Presidenti Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gadishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’i bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme”, thekson Sekretari Blinken. Kryediplomati amerikan u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë, siç shprehet ai “të ripohojnë menjëherë angazhimin për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve“.

REDAKSIA TVKLAN.AL