Iu revokua leja 7 muaj më parë

7 muaj pas pezullimit të punimeve, HEC-i i  parashikuar për tu ndërtuar mbi lumin Devoll në hyrje të kanionit të Holtës, në bashkinë e Gramshit ka nisur të prishet.

Vendimi për të mos lejuar ndërtimin e tij është marrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, pas dëgjesave me banorët,  të cilët e kundërshtonin, ngritjen e HEC-it.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, së bashku me kryetarin e Bashkisë Gramsh, Klodian Taçe, ndoqën nga afër aksionin për shembjen e digës.

Hantin Bonati,  Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë: Ka qenë një reagim në një kohë rekord duke u bazuar në shqetësimin e banorëve të Gramshit. Kanioni i Holtës është një nga vendet e shumta turistike që ka Gramshi, ne po mbajmë atë premtim që u kemi dhënë qytetarëve, çdo shqetësim i tyre do jetë shqetësimi jonë kështu që vendet turistike të Gramshit sot do vizitohen më shumë nga të gjithë turistët.

Zëvendësministri sqaroi se sa i takon mbrojtëseve të tokës nga rrëshqitjet do të këtë serish dëgjesa me banorët dhe nëse këta të fundit do të kërkojnë edhe largimin e tyre atëherë do të ndërhyhet sërish.

Kanioni i Holtës është një nga pikat turistike më të vizituara në bashkinë e Gramshit. Në vendin ku ishte ndërtuar diga do të ndërhyhet për të rikuperuar dëmtimin e shkaktuar në mjedis.

Tv Klan