Të ftuar:

Marinela Hysa – ish-konkurrente e “Love Story”

Renaldo Salianji – gazetar

Eris Dhamo -sociologe

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Spinaq me patate furre

600 gr patate

600 gr spinaq

Vaj

2 thelpinj hudhër

4 qepë të njoma

4-5 vezë

1 gotë kos

Kripë

Arrë moskat

3 lgj parmixhan i grirë

Një tufë kopër

1 lç lëkurë limoni e grirë

Në një tigan ngrohim vajin dhe hudhrat. I kaurdisim për dy minuta e më pas shtojmë qepët e njoma në unaza. I kaurdisim ato derisa të ulin volumin dhe shtojmë në tigan patatet të prera në kubikë 1,5 cm. Vazhdojmë t’i kaurdisim patatet sa të fillojnë të zverdhen. Shtojmë spinaqin e grirë trashë dhe e lëmë atë për dy tre minuta sa të ulë volumin.

Lyejmë një tavë me vaj dhe transferojmë në të patatet me spinaqin. Në një tas rrahim vezët e plota me kripë. Shtojmë në të kosin dhe djathin parmixhan së bashku me erëzat arrë moskat, lëkurë limoni dhe kopër të grirë hollë. I përziejmë së bashku përbërësit në tas dhe e shtojmë në tavë duke mbuluar patatet dhe spinaqin. I nivelojmë mirë dhe vendosim tavën në furrë në temperaturën 180 gradë për 30-35 minuta.

Tost me shije pice

8 feta proshutë

8 feta djathë

Pak gjalpë

Domate

1 spec

Pak djathë Cheddar

2-3 kërpudha

Hudhra

Pak majdanoz

Në një enë ku kemi vendosur gjalpin në temperaturë ambienti shtojmë hudhrat. Me të lyejmë 4 feta bukë tosti. Më pas shtojmë nga një fetë djathë dhe nga një fetë proshutë. Sipër tyre vendosim nga një fetë tjetër bukë tosti. Mbi fetën e dytë shtojmë një fetë djathë. Në një tas përziejmë kuba të vegjël domate, spec, kërpudhë, majdanoz, kripë. Masën e përgatitur e shtojmë me lugë mbi tostet. Dekorojmë pjatën me fetë kërpudhe dhe djathë Cheddar.

Marinela Hysa tregon gjithë ç’ka ndodhi me jetën e saj muajt e fundit 

Përlotet Marinela Hysa: Nuk ka asnjë vajzë me termat që e kam etiketuar unë

Marinela Hysa, e ftuar sot në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ka folur mbi të vërtetat e saj dhe arsyet e sulmeve të saj në rrjetet sociale ndaj personazheve të famshëm. Ish-konkurrentja e “Love Story” shprehet se është në një gjendje të rënduar psikologjike, sidomos prej dy muajve të fundit. Mes lotësh, ajo thotë se e ka shumë të vështirë të flasë, por ka vendosur të jetë shembull për mirë.

Katerina Trungu: Si je në këtë moment, si je zgjuar sot?

Marinela Hysa: S’e  di, me luhatje humori. Unë kam qenë gati dy muaj në fakt, edhe qesh, edhe qaj. Pak më parë isha duke qarë, tani me zor po flas domethënë… sado që ju u munduat që të më jepni forcë që unë të flas, por qenka shumë e vështirë.

Katerina Trungu: Hajde se ti je gjithë ajo gocë e fortë.

Marinela Hysa: Këtu është problemi sepse ne që shfaqemi shumë të forta, ne…

Katerina Trungu: Mos ma bëj këtë se filloj qaj edhe unë pastaj.

Marinela Hysa: Problemi është që kur qaj, unë bëj shumë njerëz të ndihen keq dhe nuk dua ta bëj këtë, ndaj gjithmonë jam treguar shumë e fortë.

Agida Koçi: Mos mendo për të tjerët në këtë moment, mendo për veten sepse ne të kemi ftuar ty, të të japim zë ty.

Marinela Hysa: Nuk e di, unë mendoj një gjë që jeta ka shumë të papritura dhe ne duhet të bëhemi shumë  të fortë, por që në këto momente unë kam dalë në media në një moment që ndoshta nuk jam shumë e fortë, nuk e kam marrë atë forcën 100% që t’ia transmetoj njerëzve. Ndoshta Zoti ka dashur që ta shikojnë edhe në këtë gjendje Marinelën, ndoshta gjërat ndodhin edhe për një arsye të caktuar.

E përlotur dhe me zërin që i dridhet, Marinela shpreh pendesën e saj për fjalët e thëna në rrjetet sociale.

Marinela Hysa: Arsyeja pse dola ta them publikisht edhe pse nuk jam vetë shumë mirë, është sepse dua që të jem shembulli për mirë sepse pasi bën një gjë të keqe, ti mund të jesh edhe shembull për mirë. Ta marrësh atë gjënë e keqe dhe ta kthesh në forcë për të frymëzuar njerëzit për të bërë gjëra të mira, pra ajo rrugë nuk është e mirë.

Kur ne etiketojmë një vajzë me terma të pistë, sepse unë mendoj që në këtë planet nuk ka asnjë vajzë me termat që e kam etiketuar unë. Ai është një term shumë vulgar që as meshkujt nuk duhet t’ia përdorin vajzave dhe as vajzat vajzave sepse është zgjedhje në fund të ditës. Çdo vajzë zgjedh me kë do shkojë në shtrat, çdo vajzë zgjedh si do ta arrijë karrierën dhe fundja fare, kush jemi ne si shoqëri që të paragjykojmë vajzat. Unë jam paragjykuar shumë vetë dhe ndoshta ngaqë jam paragjykuar shumë vetë në gjithë këtë jetë nga shoqëria, ishte edhe ai shpërthimi shumë i madh.

Me lot në sy, Marinela: Kam dëmtuar personazhe publike që kanë nuse ose të dashur, kam ankthe

E ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ka qenë Marinela Hysa, ish-banore e Love Story. Ajo është një personazh mjaft i njohur për publikun nga videot që shpërndan në Tik Tok. Qëllimi i saj në këto video ka qenë që t’i nxjerrë keq personazhet VIP, duke i ironizuar apo zbuluar sekrete.

Por mesa duket Marinela tashmë është tepër e rënduar psikologjikisht, pasi në emision përlotet dhe shprehet se është penduar, pasi ka shkatërruar jetën e shumë personazheve të cilët kanë dhe një familje.

Më ka dërguar një mesazh Alketa por nuk ia kam kthyer sepse kam qenë shumë keq. Kur i pashë videot më pas vetëm qaja, kisha dalë komplet nga vetja“, është shprehur Marinela.

Marinela tregon se kur e nisi të gjithë këtë, e nisi me idenë që të sillte një ndryshim sepse kudo që shkonte përballeshe me njerëz që e ngacmonin seksualisht dhe nuk e shikonin atë si një vajzë që flet bukur e të tjera.

“Personazhet publik që unë kam përmendur, unë i kam dëmtuar shumë sepse kanë familje, kanë nuse. Dikush nga ata mund të jetë i martuar, dikush nga ata i dashuruar, pra unë kam bërë një gjë që nuk duhet ta kisha bërë dhe këtë gjë nuk do ta bëjë kurrë njeri në Shqipëri dhe në botë këtë gjë që kam bërë unë. Nëse ke një problem me një person, nuk ke pse të bëhesh i keq, të dëmtosh të tjerët sepse po dëmtove të tjerët ke dëmtuar dhe veten tënde. Unë kam dy muaj me ankth”, ka shtuar më tej Marinela Hysa. 

Pa filtra për pak vëmendje… Cili është kompromisi i famës?

Marinela: Kam qenë super tapë, për kokën e dy prindërve kam pasur shumë ngarkesë

Pjesë e emisionit “Shije Shtëpie” në Tv Klan është bërë ish-konkurrentja e “Love Story”, Marinela Hysa e cila ka folur për jetën e saj pas emisionit, ku për të nuk ka qenë aspak e lehtë. Sipas saj,ajo u bë e famshme për fjalët e pista që ka përdorur, ndërkohë që në jetën reale Marinela nuk shan dot askënd, as me fjalën “debile”.

Gjithashtu Marinela ka folur dhe për dështimet që ka pasur në jetë dhe sipas saj është gjë shumë e mirë të pranosh dështimet. Në një nga dështimet e saj përfshihet dhe palestra që kishte, për shkak të mos menaxhimit të mirë pasi u fut në “Love Story”.

Marinela HysaUnë kisha një palestër, një biznes të suksesshëm, vija në Tv Klan, më donin të gjithë sepse bëja një show të bukur,. Unë jam bërë e famshme vetëm se kam përdorur fjalë të pista. Unë kam pirë dhe alkool, kam qenë në gjendje të dehur, kam dalë 2 herë në gjendje të dehur, kam qenë super tapë. Në jetën reale për kokën e dy prindërve sepse e kam familjen shumë të shtrenjtë, ngaqë kam pasur shumë ngarkesë, kam pirë alkool dhe nuk e di domethënë. Në jetën reale të më thuash Marinela më shaj debile, unë nuk di të shaj dhe më vjen shumë inat për këtë. Ta marrësh famën për diçka që nuk je, është një gjë që kam 10 vite që lodhem, sakrifikoj.

Katerina TrunguTi Marinela nuk e ke më studion?

Marinela HysaDështova, të gjithë të rinjtë duhet ta pranojnë kur dështojnë. Kam dështuar 3 herë në jetën time. Kam qenë e suksesshme që 20 vjeç, kam fituar miliona para, i ndërtova shtëpinë prindërve. Më donte e gjithë Elbasanit, të gjithë zonjat vdisnin për mua sepse i mbaja trupin në formë. Pra shih se çfarë bëra, isha në kulmin tim, pastaj erdha këtu tek Klani, doja të ecja përpara, dështova tek Klani. Nuk dola shumë në media, nuk u bëra publike, Albi Nako dihet si më trajtoi etj etj.

Dështim do të thotë si këtë herë që isha tek biznesi dhe nuk po e menaxhoja mirë me klientët dhe vija tek “Love Story”. Unë marr vendime të gabuara dhe kam dështuar tre herë. 

Fyerjet në rrjetet sociale, Marinela Hysa: I kërkoj falje të gjithë njerëzve që kam dëmtuar

Marinela Hysa, ish-konkurrentja e “Love Story” ka ardhur në “Shije Shtëpie” në Tv Klan për të treguar se dy muajt e fundit kur ajo bëri bujë në rrjetet sociale, i kanë dëmtuar gjendjen psikologjike. Ajo thotë se është penduar për të gjitha fyerjet që ka bërë ndaj personave që ka përmendur në video dhe se ka vendosur të ndjekë një shembull tjetër.  Në fund të programit, Marinela kërkon falje publikisht kundrejt njerëzve të prekur prej saj.

Katerina Trungu: Kërkon falje konkretisht për ndonjë personazh që ke ofenduar në video?

Marinela Hysa: Falje është shumë e gjatë lista, por që sigurisht falje kërkojnë njerëzit  e mirë. Unë mendoj që jam njeri i mirë prandaj pranova të vij përsëri këtu tek ju dhe mendova që të ringrihem në aspektin tim shpirtëror, jo për të pretenduar diçka.

Falje i kërkoj të gjithë njerëzve të cilët unë i kam përmendur emrat e tyre sepse një njeri i mirë nuk përmend kurrë emrin e dikujt sepse duket si thashethem ose duket sikur ti do ta dëmtosh atë. E mira është të mos përmendim emrat e njëri-tjetrit, por kur ulemi të flasim për veten tonë edhe ku dalim në Tik Tok ose kur dalim në televizion të flasim për veten tonë. Nuk kemi punë fare me jetën e askujt. Unë personalisht këtë do bëj gjithë jetën time.

Katerina Trungu: Për veten tënde si përfundim, dashuri, falje, çfarë ndien? Çfarë do i bësh vetes?

Marinela Hysa: Jam me fat që jetoj në një familje që më mbështet dhe jam me fat që njerëzit e kanë kuptuar brendësinë time dhe nuk më kanë keqkuptuar.

Katerina Trungu: Ti vetë me veten tënde, i ke kërkuar vetes tënde falje që e rëndove dhe nuk e kontrollove?

Marinela Hysa: Me veten time mua do më duhet një kohë relativisht e gjatë që të kthehem në Marinelën që kam qenë.