Kombëtarja shqiptare është fokusuar maksimalisht tek ndeshja e radhës në Ligën e Kombeve, kundër Finlandës, e cila do të luhet më 12 nëntor.

Prej ditës së djeshme kuqezinjtë edhe pse jo me grupin e plotë janë duke u përgatitur nën urdhrat e trajnerit Maran.

Ky i fundit është duke menduar formacionin me të cilin do të zbresë në fushën e lojës dhe pritet që të konfirmojë skemën 3-4-2-1, ku nuk mungojnë dilemat në mbrojtje dhe mesfushë.

Arlind Ajeti është në balotazh me Mario Mitajn për një vend në treshen e prapavijës, ndërsa Laçi sfidon Ramadanin për një fanellë titullari në mesfushë.

Trajneri gjithashtu duhet të bëjë llogaritë edhe me kartonët e verdhë pasi 8 futbollistë rrezikojnë që të humbasin duelin e radhës kundër Bjellorusisë.

Kuqezinjtë do të kenë një armë shtesë për rezultat pozitiv në duelin e parë pasi stadiumi “Arena Kombëtare” është Sold Out dhe janë shitur të gjitha biletat.

Lajmin e ka konfirmuar Federata shqiptare e futbollit, e cila njofton se të gjitha tribunat e tifozërisë janë të ezauruara.

Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë ditën e sotme seancën e dytë stërvitore në orën 15:00, ku trajneri do të kuptojë më mirë gjendjen fizike të futbollistëve për të vendosur për formacionin.

/tvklan.al