Masa edhe ndaj 7 bizneseve

300 persona janë ndëshkuar nga policia pasi kanë thyer masat e marra në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit në vendin tonë. Një gjobë të majme prej 700 000 lekësh e ka marrë një person, i cili është kthyer nga një vend i prekur nga COVID-19 dhe nuk është gjetur në banesën e tij pas kontrollit nga policia.

Për personat e kthyer nga vendet e huaja të prekura nga koronavirusi, policia thotë se është kryer kontrolli për 302 prej tyre.

Gjatë 24 orëve të fundit 18 shoferëve u është hequr patenta dhe u është bllokuar makina pasi kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit.

Ndërkohë, gjatë paradites së djeshme 81 persona kanë marrë nga 10 000 lekë gjobë pasi kanë dalë pa ndonjë arse si dhe kanë kundërshtuar urdhrin e policisë për të hyrë në banesë.

200 të tjerë janë konstatuar nga efektivët në orët e pasdites duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta pa ndonjë arsye ose emergjencë. Masë administrative është marrë edhe ndaj 7 bizneseve pasi nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes.

“Policia apelon për qytetarët se edhe në ditët në vazhdim nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.

Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre”, thuhet në njoftimin e uniformave blu. /tvklan.al